Zyrtare: Valon Berisha lëndohet përsëri gjatë stërvitjeve

Dita e diel për mesfushorin e Lazios, Valon Berisha, ishte me fat, pasi bëri një paraqitje të mirë kundër Parmas duke fituar edhe një penallti.

Por, e hëna doli të jetë një ditë e keqe për të, pasi gjatë stërvitjeve në qendrën stërvitore “Fersini”, mesfushori kosovar është lënduar përsëri.

Sipas gazetës zyrtare të Lazios “Lalaziosiamonoi.it”, Valon Berisha është lënduar në kyçin e këmbës së majtë, të cilën e kishte të lënduar edhe gjatë verës, e cila e mbajti jashtë fushave deri para një muaji.

Lëndimi i Berishës e ka shqetësuar trajnerin Inzaghi, pasi kosovari në dy lojërat e fundit kishte bërë paraqitje të mira dhe ishte i rëndësishëm për lojërat e ardhshme.

Se sa do të mungojë Berisha, do të shihet në ditët e ardhshme, pas ekzaminimeve mjekësore.