Zinedine Zidane largohet nga Real Madrid

Zinedine Zidane ka njoftuar se do të largohet nga pozita e trajnerit të Real Madridit, pesë ditë pasi e çoi ekipin drejt fitores së tretë në Ligën e Kampionëve, duke pretenduar se klubi ka nevojë për “një zë tjetër”, raporton BBC.

Zidane tha në një konferencë për shtyp se “gjithçka ndryshon” dhe “prandaj e mora këtë vendim”.

Ai po largohet pasi e ka çuar klubin spanjoll drejt tre titujve të njëpasnjëshëm në Ligën e Kampionëve dhe një sukses në La Liga që kur mori drejtimin në janar të vitit 2016.

“E dua këtë klub”, shtoi ai.

“Ajo që unë mendoj është se ky ekip duhet të vazhdojë të fitojë, por unë mendoj se ka nevojë për një ndryshim, një zë tjetër, një metodologji tjetër dhe kjo është arsyeja pse unë e mora këtë vendim”.

Zidane, 45 vjeç, mori timonin pasi Rafael Benitez u shkarkua dhe ishte në krye për 149 ndeshje. Ai drejtoi Realin në 104 fitore dhe 29 barazime, kishte 69.8% fitore dhe fitoi nëntë trofe.

Ai tha në shkurt se do të largohej nëse ai do të ndjente se “nuk ka më asgjë për të dhënë”.

Megjithatë, njoftimi i tij erdhi si një goditje vetëm disa ditë pasi Real mundi Liverpulin me rezultat 3-1 në finalen e Ligës së Kampionëve.

“Ky është një klub që ka fituar 13 kupa evropiane, prandaj jam i lumtur që jam pjesë e kësaj historie”, tha ai pas fitores në Kiev.

“Ne do të mendojmë për atë që kemi arritur, ta gëzojmë momentin së pari. Kjo është gjëja më e rëndësishme tani”, tha ai.