Yjet e Realit kundër rikthimit të Mourinhos në Bernabeu

Disa lojtarë të Real Madrid janë kundër rikthimit të mundshëm të Jose Mourinhos, si trajner në Santiago Bernabeu, shkruan “Daily Mail”.

Sipas tabloidit anglez, Sergio Ramos i cili u “përplas” me Mourinhon pas humbjes së Spanjës ndaj Portugalisë në Kupën e Botës, është zotuar se do të largohet në verë nëse portugezi emërohet përsëri trajner i “Los Blancos”.

Edhe yje të tjerë të ekipit si Gareth Bale, Marcelo dhe Karim Benzema raportohet se janë kundër emërimit të Mourinhos, por presidenti Florentino Perez, thuhet se ka deklaruar se asnjë lojtar nuk do të ketë ndikim në lidhje me këtë çështje.

Mourinho ishte emëruar trajner i Real Madridit në maj të vitit 2010, ndërsa pas humbjes në finale të Kupës së Spanjës ndaj Atletico Madrid në vitin 2013, portugezi kishte thënë se ai ishte sezoni më i keq në karrierën e tij, ndërsa 3 ditë më vonë presidenti Perez kishte njoftuar se Mourinho do ta lë klubin në fund të sezonit.