Bekim Isufi, trajner i futbollit

VIDEO - Trajneri Bekim Isufi flet për stërvitjet dhe transferet dimërore të futbollistëve

Disa klube kosovare të Superligës në futboll kanë nisur fazën e përgatitjeve pas një pushimi disajavor që kur përfundoi sezoni vjeshtor i kampionatit, por një trajner vendor po vlerëson se këto stërvitje janë më shumë improvizime.

Bekim Isufi, trajneri gjilanas që vitin e kaluar fitoi titullin e kampionit me klubin Drita, thotë se përgatitjet në dimër janë të vështira për futbollistët.

Dhe më të vështira këto përgatitje i bëjnë temperaturat e ulëta në dimër dhe mungesa e infrastrukturës që futbollistët të bëjnë përgatitje më adekuate.

Isufi foli për KALLXO.com për kushtet në të cilat po stërvitin skuadrat kosovare për fazën përgatitore të sezonit pranveror dhe transferimet e afatit kalimtar të janarit.

“Janë të vështira, dhe duhet ditur se klima te ne e ngadalëson edhe ritmin e përgatitjeve në këtë fazë. Ato ekipe të cilat kanë kushte për të dalë jashtë është mirë që t’i kryejnë dy apo tri faza, ato të cilat mbeten brenda, e vetmja mundësi është këto objektet e mbyllura kalçeto”, thotë Bekim Isufi.

Ai i ka komentuar edhe stërvitjet e klubeve në fusha të mbuluara me bar sintetik. Sipas Isufit, këto stërvitje nuk kanë efekt në përgatitjen e aspektit taktik e teknik, por krejt çka mund të fitohet në ato stërvitje është forca dhe shpejtësia.

“Mendoj se ato janë vetëm improvizime të stërvitjeve, nuk është diçka që fitohet ndoshta ndonjë forcë apo ndonjë shpejtësi apo përgatitje fizike. Përndryshe diçka në aspektin taktik- teknik nuk mundet të merret maksimumi aty. Janë fusha që për momentin patjetër duhet të ushtrohet kështu që, ndonjëherë duhet edhe të improvizohet, nuk është që merret maksimumi apo hartohet plan programi edhe planifikohet mirë aty”, komenton Isufi.

“Idealja kishte me qenë një pushim i vogël, pastaj fillimi me një përgatitje të ngadalshme, pastaj gradualisht me arritjen e formës. Unë mendoj se nuk duhet pushuar shumë, duke marrë parasysh se sa më shumë të jemi në përgatitje aq më mirë bën për lojtarin dhe duhet të përmirësohemi”, thotë ai.

Ndërkohë që janë në pushim, klubet janë në kërkim të përforcimeve, në përpjekje për t’i mbuluar dobësitë e evidentuara gjatë sezonit të kaluar.

Por Bekim Isufi thotë se në këtë afat kalimtar nuk mund të ketë lojtarë të mir ënë treg.

“Do të jetë e vështirë, për arsye se nuk mund të gjendet lojtar i mirë i lirë, për arsye se të gjithë lojtarët janë nën kontratë edhe ata lojtarët e mirë nuk besoj se do të ndërrojnë mjedis. Por, edhe ata lojtarë të mirë duhet të gjejnë mundësi te ndonjë ekip i cili synon titullin apo kupën. Kemi parë disa përforcime, por jo diçka konkrete, ekipet të cilat po pretendojnë për titull kampioni dhe për kupë, kanë bërë disa, por jo përforcime bombastike”, thotë Bekim Isufi.