Fahrije Grajçevci - Agjëruese
VIDEO - Të agjërosh nga fëmijëria - të mirat dhe vështirësitë
Muaji i agjërimit nënkupton shumë kufizime në ushqim dhe sjellje që në 11 muajt tjerë të vitit mund të jenë të zakonshme. Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe zgjat nga agimi deri në perëndimin e diellit.
Fahrije Grajçevci tashmë është në të gjashtëdhjetat e saj, por prej kur ka qenë fëmijë ajo vazhdimisht ka agjëruar.
“Agjërimin kam fillu prej 9 vjeçare, mund të ketë qenë viti 1964. Më kujtohet kishim vullnet na dukej interesant ishte mirë kënaqësi, kur vijke koha e iftarit ne fëmijët u ulshim në një vend prindërit në vendin tjetër, ishte kënaqësi si fëmija ma, as nuk e kishim vështirë”, kujton ajo.
Fahrije thotë se ajo gjithë jetën e saj ka qenë shumë e përkushtuar ndaj agjërimit, ajo madje kishte vazhduar të agjërojë edhe atëherë kur ishte shtatzënë.
“Kam qenë në muajin e nëntë ka qenë Ramazan, nuk disha a po e pres me u kry për me lind, nuk mujsha me prish, më kujtohet vjehrri solli pjeshka për iftar, jam afruar duke mendu a ta marr se ndoshta s’më pret iftari dhe lindi, por jo nuk e prisha kam qëndruar dhe nuk e prisha, thash po bëhem e fortë dhe s’pe prishi”, thotë ajo.
Por agjërimin gjatë shtatzanisë nuk e rekomandon gjinekologu Dardan Baftiu. Sipas tij, studimet janë të ndryshme dhe nuk ka ndonjë të gjetur të prerë por ai si profesionist nuk i këshillon pacientet e tij që të agjërojnë gjatë kohës kur janë shtatzënë.
“Nga ana shkencore agjërimi nuk është i lëvdueshëm nuk është i mirë që gruaja shtatzënë të agjërojë për një muaj. Ka studime të ndryshme të cilat tregojnë se gjatë shtatzënisë gruaja që agjëron humb sasi të lëngjeve të trupit, dehidrimi pastaj mund të çojë në probleme të ndryshme, për shembull nëse qëllon në tremujorin e dytë mund të çojë në lindje të parakohshme, sasi të vogël të lëngut amnial apo edhe vdekje të frutit intrauterine të cilat nuk janë konfirmu 100 përqind vetëm se është parë një lidhje e vogël në mes të këtyre dy gjërave. Gjithsesi studimet tjera kanë tregu se nuk është parë diçka tjetër është parë vetëm se ka pasur një placentë më të vogël dhe jo diçka tjetër, lindja ka shku normal, por placenta ka qenë më e vogël që tregon se beba ka marrë më pak materie ushqyese”, thotë Baftiu.
Agjërimi rekomandohet për personat që vuajnë nga hipertensioni, ata që vuajnë nga kolesteroli gjak, dhe hulumtimet e fundit thonë se agjërimi ka benefite edhe për njerëzit me sëmundje kancerogjene.
Nga ana tjetër Fahrije Grajçevci thotë se agjërimin do ta vazhdojë prapë dhe se gjatë këtij muaji ajo ndjehet shumë më mirë në aspektin shëndetësor se sa në 11 muajt kur ajo konsumon ushqim pa kufizime.