Foto: KALLXO.com

VIDEO: Nëna që e quan bekim fëmijën me autizëm

Qëndresa Sadriu është nëna e Drinit tashmë tetëvjeçar. Drini është fëmija i vetëm i Qëndresës dhe erdhi në jetë si shtatzëni e planifikuar, i pritur me shumë dashuri e entuziazëm.

Qëndresa ishte një prej nënave të reja dhe të entuziazmuara me faktin që shtatzënia, lindja, rritja dhe zhvillimi i Drinit kishin shkuar për mrekulli. Ajo kujton se gjithçka ishte në rregull deri kur Drini mbushi dy vjet.

“Disi filloi Drini me ngecë, kur unë e thërrisja ai nuk po e kthente kokën prapa. Unë isha në punë dhe Drini ishte në kopsht filluan edhe mësueset në kopsht të ma tërheqin vërejtjen se nuk po socializohet. Ai kishte një hiperaktivitet të theksuar, nuk ishte agresiv dhe nuk lëndonte askënd. Në fillim e kemi menduar se është tip më i tërhequr si fëmijë. Me dy vjet e gjysmë fillova me lexu nëpër sajte të ndryshme më ka ndihmu fakti që kam mundur ta krahasoj me nipin tim, aty e vërejta se diçka nuk po shkon por nuk doja me pranu”, rrëfen Sadriu.

Edhe pse e kishte të vështirë Qëndresa mblodhi forcat dhe filloi të kërkojë ndihmën profesionale. Aty ajo mori diagnozën e parë të quajtur ADHD dhe spektër autizmi.  ADHD njihet si hiperaktivtet i shtuar me mungesë zhvillimi te fëmijët, ndërsa autizmi është çrregullim i zhvillimit i cili paraqitet në fëmijërinë e hershme.

“Unë nuk kisha haber se çka është ADHD apo autizmi, për mua mjaftonte me pa që Drini nuk po shkonte në hap me fëmijët e tjerë. Ka qenë insistimi im që të trajtohet Drini e jo e kundërta. Pra nuk ka qenë insistimi i mjekëve. Filluam me dërgu në terapi të ndryshme, te logopedi, te terapisti, te defektologu gjithashtu i morëm edhe një mësuese psikologe që me shoqëru Drinin në kopsht deri në moshën gjashtë vjeçare”, vazhdon rrëfimi i nënës së Drinit 8 vjeçar.

Kishin kaluar tashmë vjet prej kur Qëndresa po kërkonte në vazhdimësi mundësi të reja për të ndihmuar djalin e saj. Ajo tregon se kishte dëgjuar për një Qendër që trajton fëmijët me probleme në Tiranë dhe pa u menduar shumë ishte nisur për atje.

Qëndrimi në Tiranë kishte sfidat e veta, ajo qëndroi e vetme me Drinin sepse ishte e pamundur që bashkëshorti të heq dorë nga puna në Kosovë për të cilën kishin nevojë.

“Drini kur ka shku në Shqipëri nuk ka pasur aspak të folur, as shikim në sy dhe ka pasur një sjellje komplet të pastrukturuar. Drini ka vrapu pa kontrollë edhe kur e ke thirr nuk ka kthy përgjigje. Sjellja e tij nuk ka qenë në funksion të kërkesës që ai e ka pasur”, tregon Sadriu.

Por pas një kohe intensive me terapi suksesi i Drinit në Shqipëri ishte tashmë i prekshëm. Ai kishte filluar të flas dhe të rregulloj sjelljet e tij dhe pas një kohe kishte filluar të kërkoj familjarët e tij prandaj Qëndresa vendosi të kthehej në Kosovë.

Qëndresa tregon se rikthimi në Kosovë e ka përballë përsëri me problemet e vjetra në raport me qasjen që e kanë institucionet e vendit por edhe njerëzit e thirrur për trajtimin e fëmijëve me autizëm. Sipas saj tashmë kjo është bërë biznes ndërsa shteti nuk po bën asgjë për të lehtësuar trajtimin e tyre.

“Drini është një ndër fëmijët e vetëm në Kosovë që i merr të gjitha terapitë që parashihen. Këtu përfshihet psikologu, logopedi, defektologu, asistentja në kopsht apo në shkollë, çmimi për secilën është 300-400 euro, psikologu veç, logopedi veç“, tregoj ajo.

Qëndresa Sadriu thotë se ka mësuar se Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ka licencuar 100 persona për të qenë shoqërues në shkolla për fëmijët me probleme. Por, sipas saj i gjithë ky proces ka qenë i pamenduar mirë, sepse për Prishtinë janë ndarë 12 mësuese ndërsa numri i fëmijëve me autizëm është i madh. Të pyetur se çfarë ka ndodhur me këtë proces Ministria e Arsimit nuk u është përgjigjur pyetjeve tona.

Qëndresa me forcën e një nëne ka arritur të ndihmoj djalin e saj Drinin që të ketë progres të prekshëm. Tashmë Drini e di gjithë alfabetin, mund të shkruaj emrin e tij dhe është shumë i dashur me fëmijët e tjerë.

Nëna e Drinit porositë çdo prind tjetër se një fëmijë me autizëm nuk është fatkeqësi në jetën e tyre dhe se ata duhet ta pranojnë ashtu si është duke i ndihmuar shumë për të ecur përpara fëmiut të tyre