Veseli përuron një fushë futbolli në Kaçanik, thotë se do të investohet në rini

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në përurimin e një fushe të futbollit në komunën e Kaçanikut, ku ka thënë se do të investohet në rini, që të  rinjtë të mos largohen nga Kosova.

“Ky është imazhi që duhet t’i japim Kosovës. Kosova është vend i shpresës, i rinisë. Kosova është vend i besës dhe i besimit. Nuk do të lejojmë që rinia jonë të shkojë. Do të investojmë në rini. Kjo është vetëm një pjesë e investimit në këtë drejtim. Do të investohet edhe më shumë, edhe në fusha të tjera, në mënyrë që të krijojmë perspektivë, të ketë vende pune dhe të rinjtë të mos ikin në vende të tjera”, ka thënë Veseli.

Në këtë përurim ishin të pranishëm edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi.

Ministri Gashi ka thënë se rinia e kësaj komuna ka merituar terrene të mira sportive dhe tani falë bashkëpunimit me kryetarin Ilazi, këto projekte po realizohen.

Fusha e futbollit e përuruar dhe palestra e sporteve që është ende duke u punuar, kapin vlerën e 1 milionë e 200 mijë eurove.