Veron Shala e lë Slloveninë për t’iu bashkuar Kosovës U21 (Foto)

Veron Shala, mbrojtësi i skuadrës sllovene ‘Nk Triglav Kranj’, para disa javësh e ka konfirmuar se do të jetë pjesë e ekipit kombëtar Kosova U21.

Shala ka marrë ftesë nga Kosova U21, për kampin katër ditor në Durrës, që do të shërbej për përgatitjet për kualifikimet e ardhshme.

Federata e Futbollit e Kosovës, që prej pranimit të saj në UEFA dhe FIFA, është duke bërë përpjekje që ta përforcojë kombëtaren e Kosovës, me lojtarë të rinj e cilësorë të cilët luajnë nëpër shtetet e ndryshme evropiane.

Veron Shala i kontaktuar nga KALLXO.com, ka treguar se e ka lënë kombëtaren e Sllovenisë për t’iu bashkuar asaj të Kosovës, pa menduar dy herë.

“Unë para se të marrë ftesë nga kombëtarja e Kosovës i kam kaluar të gjitha grupmoshat e kombëtares së Sllovenisë deri në U-19. Me të marrë ftesë nga kombëtarja e Kosovës e kam pranuar ftesën menjëherë”, ka thënë Shala për Kallxo.com.

Qendërmbrojtësi i ‘Nk Triglav Kranj’, ka thënë se është shumë i lumtur që do ta përfaqësojë Kosovën, pasi është vendlindja e prindërve të tij.

“Jam shumë i lumtur që do të luaj për kombëtaren e Kosovës, sepse është vendlindja e prindërve të mi dhe shpresoj që te kemi arritje të mëdha me kombëtaren dhe t’i gëzojmë tifozët tanë. Në klubin tim në ‘Nk Triglav Kranj’ luaj në pozitën e qendërmbrojtësit”, ka treguar Shala.