Diola Dosti Baftiu

Ushqimi i fëmijëve në shkolla, çfarë duhet të dijnë prindërit?

Fëmijët nuk duhet të dalin nga shtëpia pa ngrënë mëngjes, kështu thotë Nutricionistja Diola Dosti Baftiu.

Sipas saj kjo përkthehet në një fëmijë të papërqendruar dhe me probleme të tjera.

“Fëmija nuk duhet të dal nga shtëpia pa konsumuar mëngjesin kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Efektet negative të moskonsumimit të mëngjesit janë të shumta. Disa që mund t`i them janë mungesa e memories, ulja e fokusit, i bie energjia komplet dhe nuk është i përgatitur për të mirëpritur atë 5-6 orëshin në shkollë. Prandaj duhet të sigurohemi që çdo mëngjes fëmija ka marrë një lloj “karburanti”, e ka mbushur rezervuarin e tij për ta shpenzuar pastaj në ambiente shkollore”, thotë Dosti Baftiu.

Ajo tregon mënyrën për prindërit që janë shumë të zënë se si ata mund ta bëjnë një plan ushqimor. Sipas saj mund të përdoret çdo gjë që gjendet në shtëpi.

“Çdo mëngjes mund të marrësh një bukë që e ke blerë ditë përpara në formë sandviçi, por që të jetë e shëndetshme mund të vendosësh pak gjizë, pak gjalpë fshati, mund të vendosesh pak kokrra ulliri që u ke hequr pjesën e bërthamës, mund të vendosësh një fletë sallatë jeshile, një rukola. Nuk janë të shtrenjta, mund të vendosesh një copë veze që e ke zier një natë përpara dhe një pjesë djathë dhe i ke të gjitha brenda, apo edhe një pjesë avokado për gjithë ata që kanë mundësi, mund të spërkasim me fara kungulli apo liri të cilat një natë përpara janë lënë në ujë cilado kategori që i pëlqen fëmijës tënd”, tregon Nutricionistja Dosti Baftiu.

Sipas saj kjo recetë mund të merret në shkollë. Dosti Baftiu thotë se vazhdimisht nënat janë të preokupuara me mënyrën e ushqimit, por kur fëmija refuzon ato dorëzohen dhe ndodhë që të japin edhe krem çokolate e njohur si aerokrem që nuk njihet për veti të shëndetshme. Ajo tregon se në vend të asaj mund të përgatitet diçka e tillë në shtëpi.

“Mjafton pak çokollatë e zezë me qumësht lope, pak bajame ne mund të bëjmë vetë një lloj çoko-kremi të shëndetshëm por jo në baza të rregullta ditore. Efektet anësore të çoko-kremit janë të mëdha, ka studime që lidhin shumë probleme shëndetësore me konsumimin e llojeve të ndryshme të çoko-kremit aq më tepër nëse ti vazhdimisht fillon mëngjesin me gjëra të ëmbla, atëherë ti në njëfarë mënyre je duke përgatitur një fëmijë drejt rrugës se diabetit. Sepse e ngacmon vazhdimisht insulinën dhe mund të krijosh edhe disbalanca hormonale”, tregon ajo.

Sipas saj përgjegjësinë për një dietë ushqimore të shëndetshme e ka nëna.

“Unë ndonjëherë çuditem personalisht kur dëgjoj nëna që thonë nuk e ha boklën apo vezën e zier, por ha ushqime të përpunuara dhe gjithmonë pyes por mirë kush ja ka prezantuar ato dhe faji mbetet te prindërit dhe gjyshërit sidomos kur jeton në bashkësi. Megjithatë rolin e heroinës e ka nëna. Nëna duhet të bëhet edhe “shtriga” duhet të ndryshojmë planet e ushqimit ndryshe ai gjithë jetën do të jetë i dashuruar në to”, tregon Nutricionistja.

“Antinutrientët ose elementet jo ushqimore, ngjyruesit, sintetikët, kimikatet e ndryshme, monosodium glutamati, përqendrimi i lartë i sodiumit që i marrin i hedhin në sandviçë e tosta.  Ajo që dëmtohet më së pari është mëlçia, nëse një organ është i dëmtuar edhe organet e tjera ka mundësi që të preken. Për mendimin tim nëse e han dreken e plotë në shtëpi mund të i jepni fruta, nëse fëmijët janë për tre orë ne shkollë edhe nëse nuk marrin gjë me vete është në rregull, por nëse kjo periudhë është më e gjatë gjithsesi të merret ushqimi me vete, të merret ujë dhe asnjë lloj lëngu. Unë shoh e tmerrohem që fëmijët pinë pije energjike që me ligj duhet të ndalohet që rrotull ambienteve shkollore të shiten këto pije energjike”, këshillon Nutricionistja Diola Dosti Baftiu.