Ushqimet e së ardhmes - Çfarë mund të hamë deri në vitin 2050

Shkencëtarët e kanë hartuar një listë të bimëve pak të njohura që mund të jenë në menu e ushqimit deri në vitin 2050.

Në të ardhmen, mund ta gjejmë vetën duke ngrënë mëngjes me një banane të rreme ose duke ngrënë fruta të pemës pandanus.

Lufta e Ukrainës ka nxjerrë në pah rreziqet e mbështetjes në disa kultura të tregtuara globalisht.

Me 90% të kalorive që vijnë nga vetëm 15 kultura, ekspertët në Kopshtin Botanik Mbretëror në Kju (Royal Botanic Gardens in Kew), Londër janë në kërkim të përbërësve për t’a mbrojtur të ardhmen dietat tona.

Ndryshimet klimatike po e rrisin rrezikun e ‘goditjeve të rënda ushqimore’ ku të korrat dështojnë dhe çmimet e produkteve kryesore rriten me shpejtësi në mbarë botën.

Diversifikimi i ushqimit që hamë është një nga zgjidhjet për ta lehtësuar urinë, për ta adresuar humbjen e biodiversitetit dhe për të ndihmuar në përshtatjen me ndryshimet klimatike, thotë studiuesi i Kew, Dr Sam Pirinon.

“Ne e dimë se ka mijëra lloje bimësh ushqimore në mbarë botën që konsumohen nga popullata të ndryshme dhe këtu mund të gjejmë disa nga zgjidhjet për këto sfida globale të së ardhmes”, thotë ai.

Nga më shumë se 7000 bimë ushqimore në mbarë botën, vetëm 417 janë rritur gjerësisht dhe përdoren për ushqim.

Pandanusi

Pandanusi (Pandanus tectorius) është një pemë e vogël që rritet në zonat bregdetare nga Ishujt e Paqësorit deri në Filipine. Gjethet përdoren për t’i shijuar pjatat e ëmbla dhe të shijshme në pjesën më të madhe të Azisë Juglindore, ndërsa frutat e ngjashme me ananasin mund të hahen të papërpunuara ose të gatuara.

Kjo pemë mund të rezistojë edhe në kushte sfiduese, duke përfshirë thatësirën, erërat e forta dhe spërkatjen me kripë, thotë studiuesi në Kew, Dr Marybel Soto Gomez.

“Është një ushqim rezistent ndaj klimës dhe ushqyes që është gjithashtu i shijshëm”, thotë ajo. “Do të ishte mirë të diversifikonim portofolin tonë ushqimor për të përfshirë ushqime që janë të përshtatshme kulturalisht, ushqyese dhe që mund të rriten në kushte sfiduese në të gjithë botën”.

Nëse pandanusi mund të përdoret në mënyrë të qëndrueshme, pa i varfëruar burimet për njerëzit vendas, ne duhet ta rrisim atë më gjerësisht, thotë ajo.

Fasule

Fasulet, ose bishtajoret, janë një tjetër “ushqim i së ardhmes”. Ato janë të lira, të pasura me proteina dhe vitamina B dhe janë të përshtatura për një gamë të gjerë mjedisesh nga brigjet e oqeanit deri tek shpatet malore.

Ekzistojnë 20,000 lloje bishtajore në botë, por ne përdorim vetëm një pjesë të vogël. Mendohet se ka qindra në natyrë, por ende të panjohura për shkencëtarët.

Fasulja Morama (Tylosema esculentum) është një element kryesor në pjesë të Botsvanës, Namibisë dhe Afrikës së Jugut, ku fasulet zihen me misër ose bluhen në pluhur për të bërë qull ose një pije të ngjashme me kakao.

Jo të gjitha bishtajoret janë të ngrënshme, por ekspertët po i eksplorojnë vetitë e specieve të ndryshme për të parë se cilat prej tyre mund të ofrojnë ushqim dhe lëndë ushqyese.

Drithëra të egra

Drithërat, të cilat vijnë nga barishtet, gjithashtu kanë një diversitet të madh, me më shumë se 10,000 lloje – duke ofruar shumë potencial për ushqime të reja.

Fonio (Digitaria exilis) është një prej drithërave ushqyese afrikane që përdoret për të bërë kuskus, qull dhe pije. E kultivuar në vend si kulturë, kjo bimë mund të rezistojë në kushtet e thata.

Banane false

Enset ose “banane e rreme” është një i afërm i bananes, por konsumohet vetëm në një pjesë të Etiopisë.

Fruti i ngjashëm me bananen e bimës është i pangrënshëm, por kërcellet dhe rrënjët me niseshte mund të fermentohen dhe përdoren për të bërë qull dhe bukë.

Studimet sugjerojnë se kultura e ngjashme me bananen e ka potencialin për t’i ushqyer më shumë se 100 milionë njerëz në një botë që po gjithnjë e më shumë po bëhet më e nxehtë./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala