Ulen temperaturat

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot dhe nesër në vendin ton do të mbajë mot me vranësira të çrregullta dhe me diell, vranësirat të shtunën, herë pas here do të shoqërohen me reshje të izoluara shiu dhe shkarkime rrufesh.

Do të mbajë mot me vranësira të çrregullta dhe me diell.

“Do të mbajë mot me vranësira të çrregullta dhe me diell, vranësirat të shtunën, herë pas here do të shoqërohen me reshje të izoluara  shiu dhe shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet 12-15 gradë Celsius, ndërsa, maksimalet e ditës parashihet të lëvizin ndërmjet 23-26gradë Celsius. Indeksi UV mbetet i lartë bashkë me shkallën e avullimeve dhe presionin atmosferik. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1-8m/s”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Foto nga seanca e shqyrtimit kryesor e datës 23.04.2024, Gjykata e Prishtinës.

Në Gjykatën e Prishtinës më datë 23.04.2024 është mbajtur shqyrtimi kryesor për padinë e ushtruar nga ish-kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, kundër Mefail Bajqinovcit, në atë kohë moderatorit të emisionit “Puls”, KTV-së, më vonë kishte përfshirë edhe Këshillin Prokurorial e Këshillin Gjyqësor.

Në këtë seancë u mor aktvendim që përkitazi me propozimin e përfaqësuesit të paditësit, avokatit Sahit Bibaj, të caktohet ekspertiza neuropsikiatrike për Hysni Hoxhën.

“Meqenëse i autorizuari i paditësit propozimit për nxjerrjen e provës përmes ekspertizës së neuropsikiatrisë i ka bashkangjitur disa prova të dorëzuara në këtë seancë përkatësisht vërtetimin për vizita mjekësore, gjykata merr aktvendim që të aprovohet propozimi për nxjerrjen e ekspertizës nga neuropsikiatri”- tha gjyqtari Argzon Muçaj.

Vendimi në fjalë u mor edhe pse përfaqësuesit e të paditurve në mënyrë unanime e kundërshtuan propozimin për këtë ekspertizë.

Gjyqtari bëri të ditur se për ekspert do të caktohet Dr. Valbona Govori- Berisha, eksperte nga lista e ekspertëve gjyqësor.

Eksperti i caktuar do të japë mendimin e tij profesional lidhur me dëmin shpirtëror potencial të përjetuar nga shpifjet dhe fyerjet e pretenduara nga paditësi.

“Detyrat e ekspertit janë: të jep mendim profesional për dëmin që ka pësuar paditësit siç janë dhimbjet shpirtërore dhe përjetimet e tij për shkak të fyerjeve, shpifjeve dhe largimit nga puna në pajtim me dokumentacionin mjekësor dhe trajtimet që ka marrë paditësi ndër ta edhe qetësues por që ka edhe dokumentacion të raporteve neoropsikiatrike”- precizoi gjyqtari Muçaj.

Përmes aktvendimit gjykata detyroi eksperten që ekspertiza të kryhet për 15 ditë prej pranimit të aktvendimit.

Për kryerjen e kësaj ekspertize Gjykata e obligoi paditësin Hoxha që të paguajë 150 Euro.

Në fillim të seancën gjyqtari Argzon Muçaj konstatoi se më datë 17.04.2024 nga i autorizuari i paditësit avokati Sahit Bibaj ka pranuar një parashtresë në cilësi të provave i ka bashkangjitur disa raporte mjekësore.

Në deklarimin e tij avokati Sahit Bibaj, ndër të tjera, pati disa vërejtje për procesverbalin e seancën paraprake e të cilat i kishte përmendur edhe në parashtresën në fjalë.

“Në seancën përgatitore të mbajtur më datë 25.03.2023 në faqen 2 të procesverbalit rreshti i parafundit nuk është arritur të shënohet për dhimbjet shpirtërore që ju kanë shkaktuar paditësit dhe për ketë është kërkuar mendimi i ekspertit mjekësor dhe për këtë në faqen 3 të të njëjtit proces – rreshti i parë ku është shënuar bazuar nuk është arritur të shënohet pa bazuar”- tha avokati Sahit Bibaj, përfaqësuesi i paditësit Hysni Hoxha.

“[Për] çështjet tjera mbesin pranë padisë dhe deklarimeve tjera në këtë fazë” – përfundoj avokati i paditësit.

E dyta avokate që mori fjalën ishte Fjollë Ibrahimi, përfaqësuese e tashmë deputetit nga radhët e Vetëvendosjes dhe “KTV”-së.

Ajo tha se qëndrojnë në tërësi pranë përgjigjes në padi dhe deklarimeve në seancat e kaluara.

“Padia e paditësit është e pabazuar. Veprimet e KTV-së dhe Mefail Bajqinovcit konsistojnë në shfaqjen e një emisioni i cili kishte pasur në përgjithësi temë diskutimi korrupsionin ku i ftuar ishte edhe një prokuror i shtetit i cili kishte shpjeguar lëndën e paditësit që kishe rezultuar në aktakuzë pas zhvillimit të hetimeve, tema e diskutimit ishte temë aktuale në atë kohë…”- deklaroi avokatja Ibrahimi.

Në deklarim e sipër pati ankesa nga ana e avokatit Bibaj kundrejt gjyqtarit Argzon Muçaj.

I njëjti u ankua se nga ana e gjykatës nuk i është dhënë mundësia të përfundoj fjalinë deri në fund, me arsyetim se të njëjtat janë theksuar në parashtresë, dhe koleges tjetër i lejohet që të deklarohet për çështjet që i ka deklaruar në seancat paraprake dhe në parashtresë.

“Kërkoj nga gjykata çështjen ta trajtoj në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe pa anime” – tha avokati i Hysni Hoxhës, Sahit Bibaj.

“A keni ndonjë propozim për trajtimin e kësaj çështje?”– e pyeti gjyqtari Argzon Muçaj avokatin.

“Për momentin nuk kam më tepër” – u përgjigj avokati Bibaj.

“Çështja [e diskutuar, ishte] me interes publik që sipas Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes e përjashton shpifjen edhe nëse ajo do të ekzistonte. Paditësi si në padi ashtu edhe në parashtresat e tjera ka dështuar të paraqes saktësisht cilat janë deklarimet shpifëse të të paditurve…”.

“Vlen të theksohet siç dëshmohet edhe nga përgjigja e Komisionit të Pavarur për Media se paditësit i është ofruar mundësia të shfaqet në emision të nesërmen dhe të përballej me akterët e debatit të një dite më parë, megjithatë i njëjti e kishe pasur të pamundur për shkak se kishte qenë në pushime…” – tha ndër të tjera përfaqësuesja e ‘KTV’-së dhe Mefail Bajqinovcit.

Prapa përgjigjes në padi deklaroi se qëndron edhe përfaqësuesja e Këshillit Prokurorial.

“E kundërshtojmë padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit si të pabazuar duke ritheksuar se KPK-së i mungon legjitimiteti i plotë dhe ai pasiv për të qenë palë në procedurë”- tha Besa Muja, përfaqësuese e KPK-së.

I fundit në radhë u deklarua i autorizuari i Këshillit Gjyqësor, Driton Bërnjashi, i cili po ashtu tha se mbesin prapa përgjigjes në padi dhe deklarimeve nga seancat e kaluara.

“Ndërsa sa i përket parashtresës së dorëzuar në këtë seancë si dhe udhëzimeve apo vërtetimeve mjekësore si dhe kontrolleve të paditësit shihet qartë se këto janë prova jo relevante për këtë proces gjyqësorë dhe nuk kanë të bëjnë me ekspertizat e kërkuara nga ana e të autorizuarit të paditësit…” – deklaroi Driton Bërnjashi, përfaqësues i KGJK-së.

Gjyqtari deklaroi se seanca e radhës do të caktohet pasi që gjykata të pranoj ekspertizën e neuropsikiatrisë.

Vendimmarrja e KPM-së

Para se t’i drejtohej gjykatës, paditësi i është drejtuar Komisionit të Pavarur të Mediave. KPM-ja ka pranuar ankesën e Hysni Hoxhës më datë 26.12.2014.

Në vendim thuhet se KPM, pas analizimit të përgjigjes së KTV-së dhe gjetjeve të monitorimit, ka konstatuar së KTV në emision “PULS” nuk ka siguruar raportim të drejtë dhe të paanshëm pasi që në kronikën e realizuar nuk ka përfshirë të gjitha palët në kontest për t’i paraqitur këndvështrimet e tyre, duke vepruar kështu në kundërshtim me Kodin e Sjelljes KKPM-2010/01.

Më tutje thuhet se KPM, duke u bazuar në faktin se KTV ka dështuar të veprojë në pajtim me Kodin e Sjelljes, më datën 14.01.2015, i ka dërguar KTV-së vërejtje përmes të cilës ka kërkuar që përfundimisht të veprojë në pajtim me Kodin e Sjelljes në të kundërtën KPM do të ndërmarrë masa ligjore ndaj KTV-së.

Gjithashtu, KPM-ja është siguruar ta njoftojë Hysni Hoxhën që si palë ankuese mund të ushtrojë të drejtë për reagim në KTV në pajtim me Kodin e Sjelljes KKPM-2010/01. Mediumi është i obliguar që të shqyrtojë kërkesën e tij për reagim në pajtim me Kodin e Sjelljes KKPM-2010/01.

Çka përmban padia?

Sipas padisë për kompensim moral për shpifje dhe fyerje të dorëzuar më datë 27.02.2015 nga Hysni Hoxha, kontesti ka të bëjë me një episod të emisionit “Puls”, të udhëhequr nga Mefail Bajqinovci. Në këtë fazë padia ka vetëm dy të paditur: KTV-në dhe Mefail Bajqinovcin.

Aty thuhet se më datë 22.12.2014 në këtë emision mori pjesë Admir Shala, në cilësinë e prokurorit special, me ç’rast shpjegoi aktakuzën të cilën e ka ngritur ndaj paditësit. Këtë gjë sipas padisë thuhet se e ka bërë pa e pranuar paditësi apo avokati i tij të njëjtën aktakuzë.

Për më tepër aty ceket se emisioni u realizua pa prezencën e paditësit dhe dhënien e mundësisë së kundërpërgjigjes për pretendimet e ngritur.

Gjithnjë sipas pretendimeve të paditësit në këtë emision, të paditurit i kanë lejuar mysafirit – Prokurorit Special që të merret edhe me aspekte politike, duke cituar perceptimin e opinionit publik për korrupsionin në Kosovë, dhe duke shpjeguar edhe barometra ndërkombëtarë, për radhitjen e Kosovës në rang të lartë të korrupsionit.

Ankuesi ka thënë se e ndjen në tërësi veten si të pafajshëm për akuzat që i janë vënë në barrë. Ai ka kërkuar nga gjykata që të vërtetojë se të paditurit me veprime antiligjore kanë fyer dhe kanë shpifur ndaj paditësit.

Për këto veprime, të cilat pretendohet t’i kenë shkaktuar dëm moral, cenim të personalitetit, Hysni Hoxha po kërkon kompensim në lartësi prej 200,000 eurove, plus kamatën ligjore nga data e shkaktimit të dëmit e deri te pagesa definitive.

Pjesë e kërkesave janë edhe shpenzimet procedurale dhe kërkimfalja nga dy palët e paditura për paditësin.

Më tej, gjatë procesit, Hysni Hoxha kishte bërë zgjerim të padisë duke i përfshirë si palë të paditura edhe Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor.

Këtë zgjerim të padisë e kishte miratuar me aktvendim gjyqtarja Filloreta Lekiqi më datë 15.09.2023.

Parashtresa e datës 26.12.2018 e përpiluar nga avokati i Hysni Hoxhës, Sahit Bibaj, e rithekson publikimin e aktakuzës duke potencuar se e njëjta nuk publikohet deri në shqyrtim fillestar.

Më tutje ceket, përveç tjerash, se institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe Prokuroria e EULEX-it kanë ngritur ndaj paditësit aktakuzë më datë 06.07.2016, dhe më tutje përshkruhet se edhe disa procedura të tjera gjyqësore u iniciuan ndaj Hysni Hoxhës.

Sipas parashtresës, të njëjtat përfunduan gjithmonë me aktgjykim lirues nga ish-kryetarit të OSHP-së.

Por aty thuhet se si pasojë e këtyre procedurave ligjore, të cilat konsiderohen të pabazuara, për shkak të presioneve, cenimit të personalitetit dhe integritetit personal, familjar dhe profesional, paditësi më datë 15.01.2016, është detyruar të jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita publike të cilën po e ushtronte.

Me këtë shkresë, në raport me KPK-në dhe KGJK-në, paditësi ka kërkuar nga gjykata që të vërtetojë se palët e paditura, me veprime, procedura të cilësuara si të pabazuara i kanë shkaktuar dëm material dhe jo material paditësit duke cenuar integritetin dhe personalitetin e tij.

Për këto veprime Hysni Hoxha nga këto institucione po kërkon 210,000 euro dëmshpërblim moral dhe dëmin material në lartësi të pagave mujore nga 1400 euro në muaj nga data 15.01.2016, e deri në përfundim të mandatit për të cilin ishte zgjedhur.

Përgjigjja në padi e Mefail Bajqinovcit

Sipas përgjigjes në padi të ushtruar më 22.10.2022 përmes shoqërisë së avokatëve “Koci dhe Vokshi”, Gjykata nuk ka kompetencë lëndore për trajtimin e kësaj çështje juridike ngase nuk ekziston as shpifja e as fyerja në rastin konkret. Rrjedhimisht, thuhet aty, Ligji kundër shpifjes dhe fyerjes nuk ka aplikueshmëri në këto rrethana.

Tutje thuhet se ky ligj, përcakton se deklaratat e bëra gjatë çdo faze të procedurave paragjyqësore, gjyqësore ose administrative, nga cilido që është përfshirë direkt në këtë procedurë, përveç rasteve kur provohet se deklarata në fjalë nuk lidhet fare me procesin gjyqësor, nuk bartin përgjegjësi në bazë të të njëjtit Ligj.

Më tutje elaborohet se i padituri ka qenë në cilësinë e moderatorit apo të shtruesit të pyetjeve dhe jo dhënies së përgjigjeve dhe/apo konstatimeve lidhur me paditësin, apo rasteve penale të cilat ishin në procedurë e sipër. Pra, të gjitha “citimet” si dhe shpjegimet e aktakuzave të të cilave u referohet paditësi, janë bërë nga prokurori i kohës, Admir Shala, e jo nga i padituri Bajqinovci. Andaj në këtë kuptim, konsiderohet në përgjigje, kjo padi është deponuar gabimisht ndaj të paditurit.

Për të paditurin, mbetet e paqartë mënyra dhe metodologjia e ndjekur nga ata Paditësit në përcaktimin e shumës prej 200,000 eurove shumë e cila kërkohet nga ana e tij për kompensimin e “dëmit” të shkaktuar, thuhet më tutje.

Në fund të shkresës përfundohet se “meqenëse nuk ekziston përgjegjësia për shpifje dhe fyerje i padituri rrjedhimisht nuk ka për detyrim kompensimin e dëmit të shkaktuar nga dëmi nuk ekziston në rastin konkret”.

Përmes përgjigjes në padi Mefail Bajqinovci i ka kërkuar shpenzimet procedurale.

Përgjigja në padi e “KOHA”-s

Në përgjigjen në padi të grupit “KOHA” të deponuar në gjykatë më datë 14.10.2021 thuhet se Hysni Hoxha nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e tij të reagimit për korrigjim të fakteve të cilat e kanë shqetësuar në emision, anipse për këtë është njoftuar me vendimin e KPM-së.

Gjë të cilën, sipas grupit “KOHA”, e ka obligim ta bëj paditësi para parashtrimit të padisë.

“Vetëm mbi këto premisa Gjykata do të duhej ta hidhte poshtë si të palejueshme, pa lëshuar në merita” – thuhet në përgjigje.

Aty thuhet se paditësi ka dështuar të paraqes në padi se cilat kanë qenë deklarimet fyese apo shpifëse në emision.

Ndër të tjera thuhet se temat e diskutuara, përbëjnë çështje të interesit publik, kështu të njëjtat përjashtojnë automatikisht shpifjen, edhe në qoftë se do të ekzistonte.

Po ashtu ritheksohet se marrja me aspekte politike, elaborimi i perceptimit të opinionit publik mbi korrupsionin në Kosovë dhe debati lidhur me barometrat ndërkombëtarë lidhur me rangimin e Kosovës sa i përket korrupsionit nuk përbën shpifje.

Në pjesën e emisionit dhe deklarimeve në të cilat përmendet Hoxha, ka vetëm një pyetje të parashtruar nga moderatori lidhur me të, si dhe një raportim të drejtë dhe të saktë të Prokurorit të Shtetit të një dokumenti zyrtar i cili rrjedh nga një hetim publik, argumenton përgjigja.

Sipas paditësit, është e pakuptueshme për ta se mbi çfarë premisa apo çfarë metodologjie paditësi ka arritur në përcaktimin e shumë e cila quhet “absurde” prej 200,000 eurove.

Sipas grupit “KOHA”, paditësi po ashtu ka dështuar të provojë lidhjen në mes të dëmit të shkaktuar dhe debatit të realizuar në emisionin kontestuar, në të cilin janë debatuar raporte ndërkombëtare mbi korrupsionin dhe perceptimin publik lidhur me këtë fenomen, si dhe procesi i hetimit publik dhe ngritja e aktakuzës ndaj tij – pa e paragjykuar, thuhet aty, në asnjë rast fajësinë e tij.

KGJK padinë e konsideron pa bazë juridike

KGJK e konsideron si të pabazuar kërkesëpadinë e paditësit dhe thotë se nuk ka legjitimitet real pasiv në procedurë. Aty KGJK e kishte kundërshtuar zgjerimin e padisë. Sipas përgjigjes, KGJK ka legjitimitet vetëm në ato raste kur kemi të bëjmë me privim nga liria pa arsye.

As Kodi i Procedurës Penale, as Udhëzimi Administrativ i KGJK-së për zbatimin e procedurës për kompensimin e dëmit për personat e dënuar ose të arrestuar pa arsye, nuk parasheh kompensim dëmi për shkak të zhvillimit të procedurës penale, potencohet në përgjigje.

KGJK me asnjë veprim nuk i ka shkaktuar dëm jomaterial paditësit, përfundon përgjigja. Ndaj mbi këto argumente ka kërkuar nga gjykata ta refuzojë padinë në raport me KGJK-në.

Manuali për Zbatim të Procedurës Kontestimore e definon legjitimitetin real pasiv si mundësi për paraqitje të padisë vetëm kundër atij që me qëndrimin ose veprimin e tij e shkel ose ia mohon të drejtën paditësit.

Përgjigja në padi e Këshillit Prokurorial

Sipas përgjigjes në padi të deponuar më datë 07.10.2021, Prokurori i Shtetit në rastin konkret ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore që ka qenë i obliguar t’i ndërmarr me qëllim të vërtetimit të kryerjes së veprës penale si dhe kryesit të kësaj vepre penale.

Veprimet e Prokurorit të Shtetit në këtë rast janë të mbrojtura me imunitet sepse prokurorët gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile dhe shkarkimi nga funksioni për veprimet e ndërmarra, vendimet e marra, apo mendimet e shprehura që janë brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre, thuhet në përgjigjen e KPK-së.

Sa i përket emisionit “Puls” në televizionin KTV, thuhet se emisioni nuk i është dedikuar Hysni Hoxhës dhe nuk ka qenë temë aktakuza kundër Hoxhës, por për korrupsionin në përgjithësi e me theks të veçantë korrupsioni në prokurim publik dhe në emision ka pasur edhe panelistë të tjerë, në të cilin janë shfaqur mendimet lidhur me dukurinë e korrupsionit në përgjithësi.

Aty thuhet se në asnjë moment nuk është theksuar se Hysni Hoxha është fajtor për korrupsionin në Kosovës.

Më tej thuhet se në emision, përkatësisht ka fundi i emisionit, prokurori është pyetur për disa raste të korrupsionit në hetim që kanë qenë publike dhe nuk është diskutuar vetëm rasti i Hysni Hoxhës.

Ndërsa, sa i përket pretendimeve të paditësit se janë diskutuar çështjet e aktakuzës pa prezencën e palës kundërshtare, përkatësisht të akuzuarit Hysni Hoxha, KPK ka thënë se nuk është përgjegjëse, se kush nga palët ftohet në emision dhe deklarimet e prokurorit kanë qenë në kuadër të aktakuzës.

KPK ka thënë se nuk kanë fyer askënd dhe nuk kanë shpifur në asnjë moment, krejt çfarë është deklaruar kanë qenë në kuadër të provave të siguruara gjatë hetimeve dhe ato prova mund të lexohen dhe shikohen nga kushdo dhe të bëhet vlerësimi i tyre.

Në këtë çështje kontestimore është me rëndësi të konstatohet se të paditurës i mungon legjitimiteti i plotë real pasiv për të qenë palë në kontestin lëndor, përfundon përgjigja.

Kështu KPK ka kërkuar nga gjykata ta refuzojë padinë në raport me të.

Raportimin paraprak të Kallxo.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar këtu.

Analizën e realizuar nga BIRN Kosova lidhur me këtë proces gjyqësor mund ta lexoni duke klikuar këtu.