Agim Ademi, kryetar i FFK-së. Foto: Kallxo.com

U dënua me burg, Komiteti i FFK-së vazhdon të besojë në pafajësinë e Agim Ademit

Gjykata Themelore në Prishtinë, sot ka dënuar presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi me nëntë muaj burgim, pasi është shpallur fajtor lidhur me akuzuat për kërcënim me vdekje të një personi.

Pas këtij vendimi të gjykatës, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, ka mbajtur një takim, në të cilin Ademi ka thënë se vendimi ishte i padrejtë dhe i pabazuar sepse nuk e ndjen veten fajtor.

Në njoftimin e FFK-së thuhet se presidenti Ademi do t’i ndjekë të gjitha procedurat ligjore ankimore, për ta dëshmuar pafajësinë e tij dhe për ta mbrojtur kredibilitetin e institucionit, duke shtuar se pavarësisht të gjithave ai do t’i respektojë vendimet e institucioneve.

“Presidenti Ademi falënderon të gjithë akterët e futbollit për përkrahjen dhe premton se do të vazhdojë njësojë me punë dhe përkushtim në drejtimin e FFK-së dhe sukseseve të reja, ashtu siç ia garanton Kushtetuta  e vendit dhe aktet normative të FFK-së. Njëkohësisht KE i FFK-së i jep mbështetje të fuqishme presidentit Agim Ademi që të vazhdojmë së bashku me trendin e sukseseve nën drejtimin e tij dhe fton opinionin e gjerë dhe të gjithë dashamirët e futbollit që këtë lajm ta marrin me qetësi dhe maturi”, është shkruar në njoftimin e FFK-së.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së tutje ka deklaruar se kjo është një tjetër sfidë e radhës, e cila do të tejkalohet dhe do t’i forcojë në realizimin e vizionit dhe objektivave të FFK-së.

Kryetari i Federatës së Futbollit, Agim Ademi së bashku me Muhamet Ramen akuzoheshin se e kanë kërcënuar me vdekje një person.

Sipas prokurorisë ata kishin qenë persona zyrtar, kur kanë bërë ndryshimin e statusit të parcelës duke e shndërruar nga zona e gjelbëruar në zonë ndërtimore.

https://kallxo.com/video-momenti-kur-kryetari-i-ffk-se-denohet-me-burgim/