Dr. Afrim Gashi, reumatolog - Foto: KALLXO.com

Trajtimi i osteoporozës në Kosovë, sëmundjes së heshtur të eshtrave - VIDEO

Osteoporoza është sëmundje kockave, kjo sëmundje që shoqërohet me humbje të masës kockore dhe mundësia e thyerjeve/ frakturave spontane është më e madhe.
Reumatologu Afrim Gashi, tregon për KALLXO.com se kjo sëmundje njihet si  e heshtur sepse nuk ka simptoma.

“Osteoporoza është një sëmundje sistemike që karakterizohet me shoshimin e kockës ndërsa roli i kockës është që të ketë fortësinë, lëvizshmërinë dhe ka disa role të rëndësishme për individin”, tregon reumatologu Gashi.

Doktor Gashi thotë se kjo sëmundje më shumë prek gratë në fazën postmenopauzale, por sipas tij as meshkujt nuk janë të përjashtuar dhe ka shumë të atillë që sot marrin trajtim në Klinikën e Reumatologjisë për këtë sëmundje.

“Nëse dëshirojmë me theksu incidencën dhe prevalencën e osteoporozës 18 përqind e popullatës kalojnë nëpër këtë sëmundje që është sëmundje karakteristike që nuk manifestohet me dhimbje në osteoporozë, dhimbjen e kemi vetëm në momentin e thyerjes”, thotë Gashi.

Ai thotë se duhet të merren masat e duhura për diagnostikim në mënyrë që të shihet se a është e pranishme sëmundja.

“Te femrat mbi 40 vjeçare rekomandohet të bëhet osteodensitometri kemi disa lloje të tyre edhe tomografinë e kompjuterizuar kuantitative dhe kështu u shmangemi rrezeve se ka rrezatim më të shprehur, matja na jep të dhëna të sakta të gjendjes kockore e cila në osteoporozë ka natyrë të brishtë dhe prirje për thyerje”, thotë ai.

Përkundër nevojës për diagnostikim ai thotë se nuk duhet tepruar me matjen e densitetit të eshtrave.

“Osteodensitometri bëhet në të dy drejtimet, bëhet së paku pas dy viteve apo në disa vende, apo në tri vite. Por, jo në 3 muaj 6 muaj dhe 1 vit, kjo është për vetëdijesim edhe kolegial edhe në raport me pacient”, tregon reumatologu.

Gashi thotë se te sëmundja e osteoporozës karakteristike është se thyerjet kryesisht ndodhin në pjesën e sipërme të trupit.

“Thyerja zakonisht është e lokalizuar në pjesën e shpinës apo gjoksit në nivel të unazave torakale që për herë të parë nëse nuk bëhet trajtimi i duhur ajo në nivel të së njëjtës unazë mundet me u përsëritë deri në pesë herë”.
Në Kosovë pacientët e sëmurë me osteoporozë mjekohen me barin ‘Ibandronat’ dhe rëndësi shumë të madhe ka mënyra e të ushqyerit.

“Për mos me ardh deri te terapia ne u rekomandojmë moshave të reja që të kenë kujdes me ushqimin duke përfshirë ushqimin që përmban minerale, kalcium, magnez, fosfor, zink e të tjera po për mbajtjen e kualitetit të forcës kockore është e nevojshme që të jetë në nivel vitamina d apo kalciferoli dhe hormonet nëse këto nuk janë të balancuara do të kemi probleme”, rrëfen doktor Gashi për KALLXO.

Ai thotë se rekomandimi i parë që u jep pacientëve është aktiviteti fizik dhe ushqimi i shëndetshëm.

“Të fillohet me aktivitet fizik llojllojshmëria e produkteve të qumështit, djathi, kaçkavalli, arrat, etj…”, ka treguar Reumatologu Afrim Gashi për KALLXO.com.