Trajneri i Azerbejxhanit Gurban Gurbanov ne konference per media Foto: KALLXO.com

Trajneri i Azerbajxhanit: Kombëtarja e Kosovës është e fortë

Trajneri i Azerbajxhanit, Gurgban Gurbanov, në konferencën për media para ndeshjes me Kosovën deklaroi se kanë ardhur në Prishtinë për fitore.

“Nesër do të zhvillohet një lojë shumë e rëndësishme. Kombëtarja e Kosovës është  e fortë, edhe lojtarët individualisht janë të fortë. Kombëtarja e Azerbajxhanit do ta japë maksimumin që të fitojë”, tha para mediave trajneri i kombëtares së Azerbajxhanit, Gurbanov.

Ai ka falënderuar trajnerin e Kosovës, Bernard Challandes për komplimentet që ky i fundit ia ka dhënë kombëtares së Azerbajxhanit.

Ndërsa mbrojtësi i kësaj kombëtare, Maksim Medvedev, tha se e kuptojnë rëndësinë e kësaj ndeshjeje.

“Kjo është loja e fundit dhe është shumë me rëndësi që ta fitojmë atë. Ne jemi një kombëtare e mirë dhe nesër do të tregojmë një lojë të mirë”, tha në mes tjerash mbrojtësi Medvedev.

Për trajnerin Gurbanov shanset e kësaj ndeshjeje janë 50 me 50, ndërsa premtoi se nesër do të sulmojnë Kosovën.

“Lojtarët e kombëtares janë të lodhur pasi kemi pushuar vetëm dy ditë. Prandaj shanset janë 50 me 50. Gjatë 90 minutave do të luajmë për fitore. Kombëtarja e Kosovës është e mirë në mbrojtje, luan në vendin e vet. Azerbajxhani nesër do të luaj në sulm. Trajneri Challandes ka përvojë të madhe”, tha në mes tjerash Gurbanov.

Sipas tij, ata duhet të bëjnë një paraqitje të mirë në mbrojtje që të mos u japin lojtarëve të kombëtares së Kosovës shumë shanse në sulm, sidomos pas ndeshjes me Maltën ku futbollistët kosovarë shënuan plotë 5 herë.

Ndeshja mes kombëtareve të Kosovës dhe Azerbajxhanit luhet në kuadër të Grupit 3 të Ligës D të Ligës së Kombeve.

Kjo është ndeshja e fundit e grupit.

Në ndeshjen e kaluar, ndeshja Azerbajxhani-Kosova ka përfunduar me rezultat të barabartë 0-0.

Në këtë grup, Kosova është lider me 11 pikë, e ndjekur nga Azerbajxhani me 9 pikë.