Trajneri e lojtarët e Kosovës U21 premtojnë befasi në Kampionatin Botëror në Spanjë (FOTO)

Kombëtarja e Kosovës U21 në hendboll është në ditët e fundit të përgatitjes para nisjes për në Spanjë, ku do të marrë pjesë në Kampionatin Botërorë për juniorë që zhvillohet nga 16 deri me 28 korrik.

“Dardanët” do të jenë në Grupin C, së bashku me Kroacinë, Hungarinë, Portugalinë, Brazilin dhe Bahrejnin.

Trajneri Kosovës U21 në hendboll, Fatmir Muhaxheri në një intervistë për KALLXO.com, ka treguar se ka arritur t’i përgatis hendbollistët për Kampionatin Botëror.

Mangësi të vetme në këtë fazë e cilëson mungesën e ndeshjeve miqësore me kombëtaret e tjera, që nuk kanë arritur t’i sigurojnë gjatë përgatitjeve fizike.

“Mund të themi se sa i përket përgatitjeve, jemi mjaft të përgatitur, jam munduar që hendbollistët të jenë sa më tepër të përgatitur, të vetmen mangësi që ndoshta e kemi është që nuk kemi pasur mundësi të zhvillojmë ndeshje miqësore, sepse nuk kemi pasur kundërshtar. Sa i përket përgatitjeve mund të them lirisht se jam mjaft i kënaqur, fatmirësisht nuk kemi pasur asnjë lëndim, por vetëm dje pak një tërheqje të vogël ka pasur Arben Dugolli, por do të jetë i aftë për takimin kundër Kroacisë”, ka thënë fillimisht Muhaxheri.

Selektori i Kosovës U21 e thekson se vetë pjesëmarrja në një eveniment kaq të madh siç është Kampionati Botëror për junior është sukses për sportet kolektive në Kosova.

“Të gjithë hendbollistët janë në formën më të mirë, por mos të harrojmë se edhe kundërshtarët atje i kemi mjaft të fortë, por edhe një gjë duhet ta cek, për sportin kosovar është një gjë shumë me rëndësi, sepse përfaqësuesja e vetme e cila merr pjesë në Kampionatin Botëror dhe është një sukses jo vetëm i hendbollit, por në përgjithësi i sporteve kolektive”, potencon ai.

Muhaxheri i pyetur se cili do të  jetë synimi i Kosovës U21, ka thënë se fillimisht dëshirojnë ta befasojnë Kroacinë, e pastaj të arrijnë në mesin e 16 skuadrave më të mira.

“Nuk po them asgjë sepse është shumë herët, pasi të gjithë kundërshtarët janë shumë të fortë, por ne duhet të bëjmë të pamundurën që nga takimi i parë me Kroacinë që aty të befasojmë kroatët por synimi i ynë është që të jemi në mes 16 skuadrave më të mira, do të jetë sukses shumë i madh. Siç e dini nëse nuk të jemi në mesin e 16 skuadrave më të mira, përsëri do të jetë sukses i madh, por këtu favorit kryesor do të jetë Portugalia, por mos ta anashkalojmë edhe Hungarinë, Kroacinë. Ne presim rezultat pozitiv ndaj Bahrejnit dhe Brazilit”, ka shtuar Muhaxheri.

Gazeta spanjolle “AS” kishte shkruar se Kosova në këtë kampionat do të jetë “Autsajdere e barabartë”, mirëpo kështu nuk mendon trajneri Fatmir Muhaxheri.

Ai thotë se ata do ta bëjnë të pamundurën të bëjnë paraqitje të mira dhe do të jenë të barabartë me të gjitha kombëtaret e tjera.

“Unë nuk mendoj që jemi autsajder, sepse siç e dini nga 205 shtete që kanë garuar në kualifikime Kosova po merr pjesë në Kampionat Botëror. Kjo është një gjë pozitive për Kosovën, por mos harroni se shpeshherë nëpër kampionate botërore ekipet të cilat flasin më tepër domethënë mund të jenë shumë të dëmshme për ato skuadra. Kosova nuk do të jetë autsajdere, por do të bëjmë të pamundurën që të paraqitemi sa më mirë. Mediat spanjolle nuk janë të kënaqura sepse ne do të paraqitemi me flamur dhe me himnin kombëtar dhe ajo ka qenë se përse ka shkruar “AS”-i ashtu edhe unë mendoj që do të jemi të barabartë me të gjitha shtetet që do të jenë në Kampionatin Botëror”, ka përfunduar timonieri i Kosovës U21 në hendboll.

Ndërsa kapiteni Jon Muqolli thotë se janë përgatitur mirë, së pari në Banjë të Pejës, pastaj në Prishtinë.

“Përgatitjet kanë shkuar mjaft mirë, kemi pasur dy faza përgatitore, faza e parë ka qenë pa top e cila është mbajtur në Banjë të Pejës, aty jemi stërvitur tre herë në ditë, ka qenë një fazë shumë e mundimshme për neve, pasi dihet se faza përgatitore është një ndër fazat më të vështira të cilat i kalojnë sportistët edhe pse është fazë e domosdoshme. Kurse kjo faza e dytë është tekniko- taktike, e cila u zhvillua me top, me mbrojtje, me sulme, pasime, shuta nga distanca, nga gjashtë metra, nëntë metra. Shpresojmë që në Spanjë kur të shkojmë të paraqitemi sa më mirë”, ka thënë lideri i Kosovës U21.

Lojtari i skuadrës Besa Famgas është optimist përkundër se në grup kanë kombëtare favorite. Ai  së bashku me bashkëlojtarët e tij do të tentojnë që të bëjnë lojëra të mira.

“Në grup kemi shumë ekipe të forta siç janë Kroacia, Hungaria, Portugalia, skuadra europiane të cilat janë superfuqi në hendbollin europian dhe kanë traditë të madhe, por shpresojmë që ne me angazhimin tonë të tregojmë paraqitje sa më të mira dhe të bëjmë lojëra sa më të mira”, shtoi ai.

Synimi i Kosovës U21 në Spanjë është që t’i sjellin vendit tonë fitoren e parë në Kampionat Botëror.

“Dihet se për Kosovën është hera e parë që paraqitet në Kampionat Botëror, është një ndjenjë mjaft e mirë, është një mundësi shumë e madhe për neve që ta tregojmë vetën dhe t’i tregojmë vlerat tona dhe pse jo të mos kalojmë edhe në ndonjë klub të madh europian, sepse dihet se atje ka shumë menaxherë të cilët i vëzhgojnë këto lojëra. Synimi është që të paraqitemi sa më mirë të tregojmë angazhime edhe të sjellim fitoret e para për Kosovën në Kampionatin Botëror”, ka përfunduar kapiteni Muqolli.

Ndërkaq Arben Dugolli beson se ndeshjen e parë do të shënojnë fitore duke e mposhtur Kroacinë.

“I kemi pasë dy faza përgatitëse, njërën e kemi zhvilluar në Pejë, tjetrën këtu në Prishtinë. Përgatitjet kanë qenë super të mira, janë duke ecur mirë. Jemi përgatitur për këtë Kampionat Botëror. Me Kroacinë me të 16-tin besoj që e kemi pa se çfarë loje bëjnë, kemi me e bë të pamundurën që me e mposht, jo vetëm kroatët por edhe kombëtaret tjera” shprehet optimist lojtari i KH Kastriotit nga Ferizaj.

Dugolli zbulon se i kanë vënë qëllim vetës që të arrijnë në 1/16-ten e finales.

“Besoj se do t’i befasojmë  të gjithë se kanë me na nënçmu, po fakti që jemi në Kampionat Botëror nuk do të thotë se jemi për me u nënçmu, se jemi një ekip shumë i mirë. Të gjithë lojtarët në kombëtare kemi thënë që kemi me e arritë këtë qëllim me hy në 16-she në Kampionat Botëror, me arrit edhe një qëllim tjetër. Synimi i ynë është që të mbërrijmë në 16 ekipet më të mira të Kampionatit Botërorë edhe pse është hera e parë”,  ka potencuar Arben Dugolli.

Albin Xhafolli nga skuadra gjermane VFL Gummbersbach, tregon arsyen se përse e ka lënë Gjermaninë për t’iu bashkuar Kosovës.

“Unë kam pasë gjithë dëshirë me lujtë për Kosovën sepse është vendi i im. Kam luajt edhe për Gjermaninë, ama e kam ndërruar prej prillit se vëllai i im  luan për kombëtare të Kosovës edhe i kam parë emocionet se qysh luajnë me zemër, kjo më ka pëlqyer dhe më ka bindur që të jem pjesë e kësaj kombëtare”, tregon Xhafolli për KALLXO.com.

Albini beson te bashkëlojtarët e tij dhe thotë se dëshirojnë t’i befasojnë të gjithë në këtë garë duke i mposhtur kombëtaret e tjera të cilat i kanë në grup.

“Unë i kam parë këta lojtarët, janë lojtarë shumë të fortë, vetëm kushtet nuk i kanë të duhura, se janë shumë lojtarë të mirë, për atë besoj se kemi shans të mirë në Spanjë për me e mposht Kroacinë. Ne duam t’i befasojmë të gjithë, sepse askush nuk mendon se ne mundemi me e fitu ndonjë lojë. Kjo është arsyeja që ka me përbë rrezik për ekipet tjera”, përfundon Xhafolli.

Kosova ndeshjen e parë e luan më 16 korrik ndaj Kroacisë, në Pontevedra nga ora 18:00.

Në Pontevedra do t’i luaj të gjitha  ndeshjet në grupin C.

Më poshtë e paraqesim orarin e Kosovës në botërorin “Spanja 2019”:

Kroacia – Kosova (16 korrik, 18:00)

Kosova – Hungaria (18 korrik, 20:00)

Portugalia – Kosova (19 korrik, 20:00)

Kosova – Brazili (21 korrik, 20:00)

Bahrejni – Kosova (22 korrik, 20:00)

(VIDEO) Trajneri që erdhi nga Australia për ta drejtuar kombëtaren e Kosovës A në Hendboll