Tifozët shqiptarë, miqësore me tifozërinë skoceze

Shqipëria të shtunën do të përballet me Skocinë, në kuadër të Grupit 1,  për kualifikimet e Ligës së Komebeve në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, prej orës 20:45.

E veçanta e kësaj ndeshje është që të premten do të zhvillohet edhe një ndeshje tjetër, por kjo ndeshje do të ketë qëllime të tjera dhe është miqësore.

Do të luajnë ‘Tifozat Kuq e Zi’ kundër tifozërisë skoceze ‘Tartan Army Select’ në fushën me bari sintetik në Kamëz, të premten me fillim prej orës 19:00.

Por, e mira e kësaj ndeshje është që përveç shoqërimit ndërmjet vetë të tifozërive, do të ketë edhe karakter humanitar.

KALLXO.com ka kontkatuar të dy tifozëritë ‘Tifozat Kuq e Zi” dhe “Tartan Army Select” të Skocisë, për të marrë detajet e kësaj miqësorje.

Petrit Osmani nga ‘TKZ’ ka treguar se ata janë të anëtarsuar në organizën e FSE- së, e cila funksionin në kuadër të UEFA-së ku atë kanë mbajtur trajnime.

“Tifozat Kuq e Zi” janë anëtarësuar në organizatën e FSE (Football Supporters of Europe) e cila funksionon në kuadër të UEFA-së. Në këtë organizatë ne kemi marrë pjesë në disa trajnime dhe mbledhje të këtij organizimi”, ka thënë Osmani për Kallxo.com.

Ai ka treguar se ‘Tifozët Kuq e Zi’ kanë vendosur që për herë të parë të organizojnë dy ndeshje miqësore me tifozëritë e kombëtare që vijnë në Shqipëri, ato të Skocisë dhe Uellsit.

Osmani tregon se miqësorja me tifozërinë skoceze “Tartan Army”, ka edhe karakter humanitar, pasi në ndeshjen Skoci- Shqipëri, e cila është zhvilluar në muajin tetor, “TKZ”-ja kishte dhuruar një donacion simbolik për spitalin e fëmijëve ne Glasgow, kurse tani donacion do të bëjnë tifozët skocezë në Tiranë për fëmijët me autizëm dhe sindromin down.

“Për herë të parë ne kemi vendosur që këtë herë të aranzhojmë dy ndeshje miqësore me tifozëritë e kombëtareve që vijnë në Shqipëri. Fillimisht të premten në ora 19:00, do të luajmë me “Tartan Army”  tifozët skocezë, e më pas të hënën me “Wales Supporters” të Uellsit, shtet më të cilin Kombëtarja zhvillon miqësore të martën në Elbasan. Këto ndeshje tregojnë edhe njëherë për imazhin e dhënë nga “TKZ” gjatë ndeshjes Skoci- Shqipëri një muaj më herët. Kujtojmë se atëbotë “TKZ” pati dhënë një donacion simbolik për spitalin e fëmijëve në Glasgow, tani donacionin do ta bëjnë tifozët skocezë në Tiranë, për fëmijët me autizëm dhe sindromin down”, tregon Petrit Osmani.

Petriti ka thënë se “TKZ”-ja që 15 vite, përveç rivalitetit në futboll, ata e shohin më ndryshe, duke u munduar që ta përmirësojnë imazhin e shqiptarëve dhe shpalosja e vlerave dhe kulturës shqipëtare.

“Pra, të dy këto aktivitete janë në vazhdën e asaj që “TKZ” e ka paraparë dhe ndjekur gjatë gjithë këtyre 15 viteve që përveç rivalitetit, futbollin ta shohë përtej, si një feste e madhe për popujt. Përmirësimi i imazhit të shqiptarit e sidomos atij jashtë dhe shpalosja e vlerave tona si veshjet (Fustanella, plisi e të ngjashme dhe traditat tjera si kultura e mikpritjes për mysafirin)”, ka shpjeguar Petrit Osmani nga “Tifozat Kuq e Zi”.

Tifozëria Kuq e Zi dhe tifozët skocez me ‘fustanella’ veshje tradicionale në Shqipëri dhe Skoci

Dy tifozërit “Tifozat Kuq e Zi” dhe “Tartan Army Select” në Skoci

Ndërsa, themeluesi i ekipit “Tartan Army Select FC”, Ross McNaught, i kontaktuar nga KALLXO.com, ka treguar në detaje për miqësoren që do ta luajnë ndaj ‘TKZ-së’ dhe për tifozërine e tyre.

Ross McNaught ka thënë se ai e themeluar ekipin e tifozëve “Tartan Army Select FC”, të cilët ndeshjen e parë e kanë luajtur në vitin 2004 ndaj Estonisë si mysafir. Ai ka treguar se se deri më tani kanë luajtur 50 ndeshje miqësore, ndërsa në këtë vit kanë luajtur me tifozëritë e Perusë, Izraelit, dhe të premten kundër Shqipërisë.

Ekipi i “Tartan Army Select”, ndërsa Ross McNaught është me numrin 3, i cili është edhe kapiten

“ Unë e kam themeluar Tartan Army Select Fc, që është ekip i tifozëve të Skocisë. Ne filluam në vitin 2004  kundër Estonisë një ndeshje si mysafir, dhe prej atëherë i kemi luajtur 50 ndeshje në të gjithë botën. Për shembull në këtë vit ne kemi luajtur me Perunë, Izraelin dhe tani do të luajmë me Shqipërinë”, ka thënë Ross për KALLXO.com.

Ai ka thënë se atyre u pëlqen të luajnë kundër tifozëve kundërshtarë, t’i bëjnë miq e pastaj të organizojnë ndonjë ndejë.

“Neve na pëlqen të luajmë kundër tifozëve kundërshtar, pra kundër atyre tifozëve që luan ndeshje Skocia, t’i bëjmë shokë dhe të organizojmë ndonjë party. Ndonjëherë kjo nuk është e mundur që të luajmë miqësore, kështu që ne luajmë kundër një ekipi lokal të klubit. Për shembull në Moldavi kemi luajtur kundër FC Dacia”, ka treguar skocezi Ross McNaught.

Ross ka treguar se si është vënë në kontakt me “Tifozat Kuq e Zi”,  dhe thotë se është i kënaqur me organizmin e tyre deri më tani.

“Në Shqipëri unë u  vura në kontakt me Tifozët Kuq e Zi, nga një shok i imi uellsian dhe pastaj kemi rënë dakord që ta luajmë ndeshjen. Kjo është hera e parë që luajmë në Shqipëri, por jemi shumë të ngazëllyer dhe deri më tani TKZ kanë qenë shumë të mirë në organizimin e ndeshjes”, përfundon Ross.

Ndeshja miqësore do të luhet në fushën me bari sintetik në Kamëz, nën dritat e reflektorëve prej orës 19:00 ndërmjet Tifozave Kuq e Zi dhe Tartan Army Select.

Motoja e “Tifozëve Kuq e Zi”, për këtë miqësore është kjo: “Një jetë në tribuna, të premten pak në fushë!”.