Foto: ZPRK

Thaçi mirëpret rezolutën për vëllezërit Bytyqi nga Kongresi Amerikan

Presidenti vendit, Hashim Thaçi përmes një postimi në facebook ka shkruar për vrasjen e vëllezërve Bytyqi dhe rezolutën “Bytyqi”, e cila është miratua nga Kongresi i SHBA-së.

“E mirëpres miratimin e rezolutës “Bytyqi” nga Senati i SHBA-së, që shpreh pakënaqësi me vonesat që po bën Serbia në dënimin e fajtorëve për vrasjen e vëllezërve Bytyqi nga aparati shtetëror serb në vitin 1999”, ka shkruar Thaçi.

Ai tutje ka shtuar sde miratimi i kësaj rezolutë mundëson që të shtyhen përpara çështje në instancat më të larta të SHBA-së.

“Gjithashtu tregon se kur është në pyetje Kosova, SHBA-ja është një, pa dallime partiake. Për ne është inkurajim që të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për të gjitha viktimat e regjimit serb në Kosovë dhe se drejtësia për vëllezërit Bytyqi më në fund do të vihet në vend”, ka shkruar Thaçi.

Tre vëllezërit Bytyqi në prill të 1999-ës udhëtuan nga Amerika në Kosovë për t’iu bashkuar batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pranë të cilit luftuan deri në qershorit të 99-ës deri sa përfundoi lufta në Kosovë.

Vëllezërit Bytyqi u arrestuan më 23 qershor 1999 nga policia serbe pasi që mendohet se aksidentalisht e kaluan kufirin me Serbinë përderisa ishin duke i ndihmuar disa fqinjë nga një familje rome, të cilët për shkak të rrethanave nuk ndjeheshin të sigurt, prandaj u kishin kërkuar vëllezërve që ti shoqëronin deri te kufiri për të kaluar në Serbi.

Gjatë shoqërimit vëllezërit Bytyqi aksidentalisht e kaluan kufirin administrativ të pashënuar me Serbinë, me ç ‘rast edhe u arrestuan menjëherë.

Pas arrestimit vëllezërit u akuzuan për kalim ilegal të kufirit dhe Gjykata për Kundërvajtje në Prokuplje të Serbisë i dënoi me 15 ditë burgim.

Por pas vuajtjes së dënimit prej 15 ditëve burgim, vëllezërve Bytyqi u humbën gjurmët.

Ndonëse një kohë nuk është ditur për fatin e tyre, në vitin 2001 kufomat e Yllit, Mehmetit dhe Agronit janë gjetur në një varr të pashënuar pranë një kampi policor të trajnimit në Petrovo Sello, afër qytezës Kladovo. Duart e tyre ishin të lidhura me tel, sytë e mbështjellë me shami dhe secila kafkë kishte një vrimë plumbi: ishin ekzekutuar në vend. Ata u gjetën mbi një varreze masive që përmbante kufomat e 67 burrave dhe grave nga Kosova.

Edhe pse kanë kaluar 20 vjet që nga vrasja e tyre edhe përkundër përpjekjes së vazhdueshme të SHBA-ve të cilët vazhdimisht kanë kërkuar zbardhjen e këtij rasti, deri në këto ditë nuk ka ndonjë person të dënuar për vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, këmbënguljen e SHBA-ve për zbardhjen e këtij rasti, premtimin e shtetit Serb se fajtoret do ti vë para drejtësisë si dhe përpjekjet e familjes Bytyqi për të gjetur drejtësi për humbjen e më të dashurve të tyre.

Të gjitha raportimet rreth këtij rasti mund t`i gjeni në këtë link.