Temperaturat e Larta 10 Mijë Persona Kërkojnë Ndihmë në QKUK

Kosova po përballet këto ditë me temperatura të larta, të cilat, sipas Instituti Hidrometeorologjik, kanë arritur në 35 gradë. Ngritja e temperaturave, si pasojë ka rritur edhe numrin e personave që kanë nevojë për ndihmën mjekësore.

Në Klinikën Emergjente, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndihmë mjekësore për muajt qershor e korrik, kanë kërkuar rreth 10 mijë persona.

Basri Lenjani, drejtor i Qendrës Emergjente, i tha REL-it se ndërlikimet shëndetësore nga temperaturat e larta janë shfaqur tek personat me sëmundje kronike, ata me sëmundje kardiologjike, gratë shtatzëna e të tjerë.

“Nga ky numër i gjithëmbarshëm, vetëm për muajin qershor mbi 4800 pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, derisa numër rekord ka shënuar muaji korrik, ku ende pa përfunduar muaji, janë lajmëruar mbi 5 mijë raste”.

“Të gjitha këto raste që kërkojnë ndihmë janë të ndikuara drejtpërdrejt nga i nxehti, dhe këshilla jonë është që nga ora 11:00 deri në orën 17:00, njerëzit të mos u ekspozohen rrezeve të diellit”,tha Lenjani.

Shërbimet internistike frekuentohen me numër më të madh dhe rastet më të shpeshta që kërkojnë ndihmë janë ata me probleme kardiake, e me shtypje të lartë të gjakut.

Doktor Basri Sejdiu, internist në Qendrën Klinikë Universitare, thotë se vërehet një numër i shtuar i pacientëve me probleme kardiake.

“Me ngritjen e temperaturave, sidomos javën e fundit njerëzit me sëmundje kronike janë prekur shumë. Në kardiologjinë invazive me prekje infarkti nuk ka numër të shtuar, por në vizita ambulatore është shtuar fluksi i pacientëve dukshëm”, thotë Sejdiu.

Derisa Besim Aliu, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës thotë se temperaturat ditët e fundit kanë lëvizur nga 34 deri në 35 gradë. Por nga dita e martë, sipas tij, do të ketë kushte tjera hidrometeorologjike.