Të shtunën ndeshja e yjeve, Granit Xhaka vs Milot Rashica

Të shtunën me datë 15 qershor, në orën 20:00, yjet e futbollit kosovarë dhe europian, Granit Xhaka dhe Milot Rashica do të zbresin në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinës.

Ekipi i krijuar nga Granit Xhaka me shokë dhe ekipi i krijuar nga Milot Rashica me shokë do të përballen me njëri-tjetrin, për të dhuruar spektakël për të gjithë dashamirët e futbollit në Kosovë e më gjerë.

Në njëzetvjetorin e lindjes së një jete të re, stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë më i ndriçuar se kurrë nga yjet e futbollit që përditë i bëjnë dritë emrit të vendit tonë nëpër botë.

Kjo ndeshje është organizohet dhe mbështetet nga Federata e Futbollit e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.

Biletat për tribunat Jug dhe Veri do të jenë falas, derisa biletat për tribunën lindore kushtojnë 2 euro, kurse ato për tribunën perëndimore 3 euro.

Biletat mund të blihen në kioskun e qytetit të Prishtinës si dhe në Rave Travel. Të gjitha të hyrat nga shitja e biletave do t’u ndahen 10 familjeve në nevojë.