Të hollat nga shitja e biletave në Europianin U20, donacion për fëmijët e sëmurë

Federata e Basketbollit të Kosovës ka vendosur që të gjitha të hollat që do të grumbullohen nga shitja e biletave të ‘FIBA U20’, Kampionatit Evropian, Divizioni B – në kategorinë e vajzave që do të organizohet në Prishtinë të jepen donacion për fëmijët e prekur nga sëmundja e fibrozës cistike.

Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe nënkryetari i Shoqatës për personat me Fibrozë Cistike, Atdhe Rama të mërkurën e kanë mbajtur një takim dhe janë dakorduar që përveç donacionit të FBK-së për këtë Shoqatë, do të bashkëpunojnë në mënyra të ndryshme gjatë Kampionatit në vetëdijesimin e shoqërisë kosovare për këtë sëmundje.

Çmimi i biletave do të jetë 1 euro dhe kjo biletë do të jetë ditore.

Federata e Basketbollit të Kosovës dhe Shoqata për personat me Fibrozë Cistike shpresojnë se kjo kampanjë do të mbështetet nga të gjithë, andaj kërkon nga shoqëria kosovare të bëhen pjesë e saj.

‘FIBA U20’ Kampionati Evropian, Divizioni B – Vajzat do të mbahet në Prishtinë prej 3 deri më 11 Gusht 2019.