Të dielën ndërrimi i orës | Foto: RTV 21

Të Dielën Ora Kthehet Prapa për 60 Minuta

Si çdo vit në javën e fundit të tetorit do të përfundojë ora verore, ndërsa do të nisë dimërorja.

Akrepat në orën 3:00 të mëngjesit do të kthehen prapa për një orë, duke u mundësuar njerëzve që të flenë një orë më shumë.

Për vendet e Bashkimit Europian, ora e gjithë zonës do të ndryshojë në të njëjtin çast.

Ndryshimi i orës në Europë u vendos në vitin 1981 me shpjegimin se me këtë “zgjatet” dita, rritet produktiviteti, përmirësohet aftësimi i njerëzve dhe dita e punës bëhet më efikase.

Por, akrepat nuk zhvendosen në të njëjtën kohë kudo në botë.

Kështu, SHBA-ja dhe Kanadaja në vitin 2007 e vendosën që llogaritja dimërore e kohës të fillojë në javën e parë të nëntorit dhe të përfundojë në javën e dytë të marsit.

Ideja e ndryshimit të orës ishte e anglezit William Willett, i cili në vitin 1907 tha se në këtë mënyrë njerëzit nuk do t’i çojnë kot orët e çmuara të dritës gjatë mëngjeseve verore.

Ai propozoi se ora duhet të shtyhet për 60 minuta në katër hapa gjatë muajit prill dhe në të njëjtën mënyrë gjatë muajit shtator.

Willett pastaj kaloi pjesën tjetër të jetës së tij duke u përpjekur për t’i bindur njerëzit se skema e tij ishte e duhura.

Llogaritja dimërore e kohës do të zgjasë deri në javën e fundit të marsit.