Ilustrim: Pixabay

Studimi lidh transferin e embrionit të ngrirë me rrezikun për kancer në fëmijëri

Fëmijët e lindur nga përdorimi i transferimit të embrionit të ngrirë kanë rrezik më të madh për kancer në fëmijëri , sipas një studimi, por rreziku mbetet i ulët, raporton CNN

Studimi i publikuar në revistën mjekësore JAMA të martën, shikoi fëmijët e lindur në Danimarkë, vend ky me përqindjen më të lartë të riprodhimit me asistim teknologjik.

Në vitin 2018, afër 10% e gjithë fëmijëve të lindur ishin përmes disa metodave të trajtimit të fertilitetit. Shkencëtarët veçse ishin në dijeni që fëmijët e lindur me ndihmën e këtyre metodave ishin më të rrezikuar nga probleme shëndetësore.

Këta fëmijë kanë më shumë gjasa të lindin më peshë më të ulët, të lindin para kohe dhe me defekte të lindjes, sipas studimeve të mëhershme. Shumë pak dihet për pasojat shëndetësore afatgjate nga këto procedura, tha autori.

Ky studim u bazua në të dhënat nga Regjistri mjekësor i lindjeve, Regjistri i kancerit dhe grupin e infertilitetit të Danimarkës që përfshiu 1,085,172.00 fëmijë të lindur në Danimarkë mes Janarit të 1996 deri 31 dhjetor 2012, nga këta fëmijë, 2,217 ishin diagnostifikuar me kancer.

Kur shkencëtarët krahasuan numrin e fëmijëve të lindur me prindër fertil me ata që u lindën me asistencë, ata vërejtën një rrezik të ngritur për kancer në fëmijëri në rastet ku ishin përdorur embrione të ngrira.

Specifikisht, shkalla e kancerit në fëmijëri ishte 17.5 për 100,000 tek fëmijët e lindur nga gratë fertile dhe 44.4 për 100,000 tek ata që lindën me transfer të embrionit të ngrirë.

Nuk kishte asociacione statistikisht të rëndësishme të kancerit me llojet e tjera të trajtimeve të fertilitetit nga ky studim. Rreziku i kancerit nuk ishte më i lartë për fëmijët e lindur nga prindër që përdorën ilaçe për fertilitet, IVF ose injektim itracitoplazmik të spermës, raporton CNN

“Mendoj se kjo është interesante dhe potencial shqetësues, por ju duhet ta shikoni këtë studim në perspektivë,” tha Dr.Jeffrey Goldberg, endokrinologjist në klinikën Cleveland, i cili nuk ishte përfshirë në studim. “Fatmirësisht, kanceri tek fëmijët është goxha i rrallë, është diçka që kërkon vlerësim të mëtejshëm, por ka disa shpjegime”.

Goldberg tha se duhet të mos harrojmë se studimi ka filluar në vitin 1996 dhe janë bërë shumë ndryshime në teknologji, në protokolle të laboratoreve dhe stimulimit që prej atëherë, që do mund të kishte ndikim nëse studimi bëhet prapë me të dhëna më aktuale.

Gratë që i futen kësaj procedure duke përdorur embrion të ngrirë mund të jenë më të ekspozuara ndaj rrezikut të kancerit nëse janë më të vjetra me partner më të vjetër, pesha gjithashtu paraqet rrezik të lartë që një fëmijë të mund të fitoj kancer, thotë Gioldberg.

“Në njëfarë mënyre kjo ngritë pyetje më shumë se përgjigje, mendoj se ka qenë e arsyeshme që të bëheshin pyetje në këtë studim”, tha Goldberg.

Studime më të hershme nuk gjetën lidhje mes kancerit dhe embrioneve të ngrira, edhe pse një studim paraprak gjeti diçka, gjitha studimet janë bazuar në popullsi shumë të vogla të pacientëve.

Ky studim pati numër shumë më të madh të pacientëve, por nuk është e qartë nëse rezultatet do ishin të njëjta nëse shkencëtarët do shikonin pacientë nga vende tjera me karakteristika të ndryshme etnike dhe racore.

Ky studim është i përqendruar në të dhëna retrospektive, prandaj hulumtuesit nuk ishin në gjendje të pyesnin se përse mund të ketë ngritje të rrezikut nga kanceri me këtë procedurë.

Goldberg tha se prindërit nuk duhet të shqetësohen.

“Një rritje prej 2,4 është klinikisht e rëndësishme, por këta janë numra shumë të vegjël, dhe bazohen në të dhëna më të vjetra që datojnë nga viti 1996, dhe disa prej këtyre gjërave mund të mos jenë të zbatueshme tani”, tha Goldberg duke shtuar se “unë nuk doja që kjo  të bëhej shkak i ndonjë këmbane alarmi”, raporton CNN