Studim - Pse gjatë COVID-19 duhet shmangur ecjen, vrapimin apo ngasjen e biçikletës afër njëri-tjetrit

Cila duhet të jetë distanca e sigurt kur vraponi, kur ngisni biçikletën apo ecni gjatë kësaj epoke të COVID-19 herë?

Do të duhej të jetë më larg se 1-2 metra tipike ashtu siç përshkruhet në vende të ndryshme!

Në shumë vende ecja, çiklizmi dhe vrapimi janë aktivitete të mirëseardhura në këto kohë të COVID-19. Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se duhet shmangur njëri-tjetrin gjatë ushtrimit të këtyre aktiviteteve.

Ky konstatim vjen nga rezultati i një studimi të përbashkët i dy institucioneve shkencore KU Leuven (Belgjikë) dhe TU Eindhoven (Hollandë).

Rregulla e distancës së zakonshme sociale e cila aplikohet në shumë vende e që është 1-2 metra, duket të jetë efektive kur jeni brenda apo edhe jashtë në hapësirë e kur era është e intensitetit të ulët.

Mirëpo sa herë që një individ del jashtë për shëtitje, vrapim apo me biçikletë, bëni mirë të keni kujdes. Kur dikush gjatë vrapimit merr frymë, teshtin apo kollitet, spërklat e vogla mbesin prapa në ajër. Personi i cili vrapon prapa tij mund të kalojë përmes këtij grumbulli të spërklave.

Studiuesit kanë arritur në këtë përfundim duke simuluar shfaqjen e grimcave të pështymës së personave gjatë lëvizjes (duke ecur dhe vrapuar) dhe kjo nga pozicione të ndryshme (pranë njëri-tjetrit, diagonalisht pas njëri-tjetrit dhe direkt pas njëri-tjetrit).

Normalisht, ky lloj modelimi përdoret për të përmirësuar nivelin e performancës së atletëve pasi qëndrimi në rrjedhën ajrore të njëri-tjetrit është shumë efektiv. Mirëpo, sipas këtij studimi, kur kemi të bëjmë me COVID-19 rekomandimet thonë se duhet qëndruar jashtë rrjedhës së kësaj rryme ajrore.

Rezultatet e këtij testi janë paraqitur përmes grafikoneve me animacione si dhe në mënyrë vizuale. Grumbujt e spërklave të lëna prapa një personi duken në mënyrë të qartë “Njerëzit që teshtijnë ose kolliten përhapin spërklat me një forcë më të madhe, por edhe njerëzit që thjesht marrin frymë do ti lënë këto spërkla prapa tyre”. Pikat e kuqe në figurën e mësipërme paraqesin spërklat më të mëdha. Këto japin mundësi më të madhe të kontaminimit por në të njëjtën kohë bien më shpejt në tokë.

“Megjithatë, sa herë që ju kaloni përmes atij grumbulli me spërkla mundësia që ato të kapën në rrobat tuaja janë akoma të mundshme”, thotë Bert Blocken, profesor nga Instituti teknologjik i Eindhowen në Belgjikë.

Distancimi social luan më pak rol për dy persona në një mjedis me erë të intensitetit ulët gjatë vrapimit apo ecjes afër njëri-tjetrit.

Spërklat bien në tokë prapa dyshes që vrapojnë apo ecin. Gjatë pozicionimit diagonalisht prapa njëri-tjetrit, rreziku është gjithashtu më i vogël për të kapur spërklat e atij që vrapon apo ecën para teje. Rreziku i kontaminimit është më i madh kur njerëzit janë të pozicionuar apo qëndrojnë pak më prapa njëri-tjetrit.

Në bazë të këtyre rezultateve, profesori Blocken këshillon se distanca e ecjes për njerëzit që lëvizin në të njëjtin drejtim në një rresht  të vetëm duhet të jetë së paku 4-5 metra, për ata që vrapojnë dhe ngasin biçikletat me shpejtësi të vogël kjo distancë duhet të jetë 10 metra kurse për ata që ngasin biçikletat me shpejtësi më të madhe kjo distancë do të duhej të jetë të paktën 20 metra. Gjithashtu, sa herë që e tejkaloni dikë këshillohet që të jeni në korsinë tjetër dhe në një distancë të konsiderueshme p.sh. 20 metra për ata që ngasin biçikletën.

Padyshim, ky është informacioni që do të duhej të merret parasysh e njëkohësisht edhe opsioni i mbylljes së parqeve që janë të ngarkuara me shumë njerëz.

Apo, ndoshta mënyra më e mirë prapë mbetet të vraposh apo të ecësh i vetëm në rrugë apo të paktën në një distancë të mjaftueshme e cila të garanton se kontaminimi me virusin është pothuajse i pamundur.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!