ILUSTRIM - Rrjetet sociale foto REL AFP

Studim: Mbajini fëmijët në lëvizje për të ulur rrezikun nga depresioni

Shkenca tregon se ushtrimet nga më të thjeshta janë të mira për ne. Ato përmirësojnë gjumin, ulin shtypjen e gjakut, na mbrojnë nga sëmundjet e zemrës, diabeti, kanceri, ulin stresin, rrisin humorin dhe luftojnë ankthin dhe depresionin, shkruan CNN.

Veçanarisht është e rëndësishme që në adoleshencë, kur shpesh shfaqen shenjat e para të depresionit, thuhet në studim. Studimi nxjerr në pas se vetëm në rastet kur fëmija juaj është një atlet, sepse përndryshe do jetë shumë e vështirë t’i largoni ata nga rrjetet sociale për t’i dërguar në not ose vrap.

Por sipas një studimi të ri, edhe ushtrimet shumë të lehta mund ta mbrojnë fëmijën tuaj nga zhvillimi i depresionit.

Një studim i publikuar të martën në gazetën ‘Lancet Psychiatry’ , gjeti se 60 minuta lëvizje të thjeshta çdo ditë në moshën 12 vjeçare ishte i lidhur me reduktim të depresionit me një mesatare prej 10% në moshën 18 vjeçe. Llojet e ushtrimeve përfshijnë lëvizje nga vrapi, çiklizmi, ngjyrosja apo luajtja në instrument.

“Nuk janë vetëm format intensive ato që na bëjnë mirë për shëndetin mendor”, tha Aaron Kandola, një student në doktoratën e Psikiatrisë në Universitetin e Londrës dhe autor prijës i këtij studimi.

“Ka shumë iniciativa që promovojnë ushtrime tek të rinjtë, por studimi ynë tregon se edhe ushtrimeve të lehta duhet t`u kushtojmë pak vëmendje”, tha Dr. Joseph Hayes, një psikolog klinik si dhe këshilltar i këtij hulumtimit nga Universiteti i Londrës.

“Shkollat mund të fusin aktivitetin e lehtë tek nxënësit”, tha Hayes. “Nuk kërkon shumë mund është e lehtë për t`u përshtatur në rutinat e përditshme tek shumica e të rinjve”, tha ai.

Rezultatet afatgjate

Studimi përdori informacione nga studimet e viteve të 90-ta të Universitetit të Fëmijëve të Bristolit, që ka monitoruar 14,500 gra dhe fëmijët e tyre për 30 vite, prej shtatzënisë e tutje.

Si pjesë e kësaj, 4,257 adoleshentë mbanin instrumente për të ndjekur lëvizjet e tyre në moshat 12, 14 dhe 16 vjeçe për një periudhe tre-ditore. Për së paku 10 orë çdo ditë përshpejtuesit regjistruan nëse fëmija lëvizte ose ishte i ulur. Makineritë ofruan një metodë më të mirë të gjurmimit sesa studimet paraprake, të cilat mbështeteshin në vetë-raportim, thanë studiuesit.

“Për fat të keq, koha të cilën këta adoleshentë rrinë pa lëvizur është rritur nëpër vite, por ka pasur edhe një mungesë befasuese të hulumtimeve kualitative se si kjo mund të ndikojë në shëndetin mendor”, tha Kandola.

Shprehitë e të qëndruarit pa lëvizur rritej teksa fëmijët rriteshin, me depresionin që rritej sa më pak aktiv që janë. Çdo orë që rrije pa lëvizur në moshën 12 vjeçare ishte e lidhur me një përqindje prej 11% të rritjes së depresionit në moshën 18 vjeçe, bazuar në një pyetësor mjekësor që matë simptomat depresive dhe ashpërsinë e tyre brenda një spektri.

Në moshën 14 vjeçare, çdo orë e të qëndruarit joaktiv rrit nivelin e depresionit për 8%, derisa 16 vjeçarët kishin një rritje prej 10.5% sipas studimit. Studimi u bazua vetëm në depresion e jo në çrregullimet e ankthit.

Në fakt, të dhënat “sugjerojnë se reduktimi prej 2 orësh në qëndrimin pa lëvizur ditor mes moshën 12 dhe 16 ishte i lidhur me 22% reduktim të depresionit në moshën 18 vjeçe”, thuhet në studim.

Shkalla e çrregullimeve mendore tek adoleshentët në rritje

Sipas organizatës Botërore të Shëndetësisë, depresioni është një nga shkaqet prijëse si shkak i sëmundjes së aftësisë së kufizuar tek adoleshentët nëpër botë, duke përbërë rreth 16% të barrës botërore të sëmundjeve dhe dëmtimit tek njerëzit e moshës 10 deri 19 vjet.

Në Shtetet e Bashkuara, shkalla e depresionit tek të rinjtë është në rritje. Një studim i ri i publikuar pa se shkalla e depresionit u rrit në mënyrë masive në mesin e të rinjve me mbi 52% mes viteve 2005-2017. Studimi u bazua nga të dhënat e sondazhit kombëtar amerikan për përdorimin e drogave dhe gjeti shkallë të rritjes nga 8.7% në 13.2% gjatë asaj kohe.

Një episodë depresioni definohet nga një listë simptomash që përfshijnë: Të ndjerit i pikëlluar, mungesë shprese, frustrim, ankth ose padobishmëri për së paku dy javë.

Numri përputhet me analizën e vitit 2017 nga Instituti Kombëtar i Shëndetit mendor në SHBA, sipas të cilit 13.3% e te rinjve amerikan nga mosha 12-17 kanë vuajtur së paku një episodë të madhe depresioni në 12 muajt e fundit. Kjo kap më shumë se tre milionë fëmijë, më së shumti vajza. Vajzat janë  të prirura të vuajnë depresionin episodik tre herë më shumë, sipas raportit.

Trendi është shqetësues, thonë ekspertët sidomos nga fakti që vetëm 50% të adoleshentëve diagnostifikohen para pjekurisë dhe vetëvrasjet janë në rritje. Sipas një studimi nga viti i kaluar numri i fëmijëve me mendime për vetëvrasje është dyfishuar në SHBA mes viteve 2007-2015.

 

Çfarë të kërkoni

Për prindërit mund të jetë e vështirë ta dallojnë një adoleshent normal dhe një më ankth e depresion. Simptomat përfshijnë: lodhje, nervozë dhe rutinë ndryshe të gjumit, dëshira për të qëndruar vetëm dhe një mungesë interesi për shkollë dhe aktivitete të përditshme, mes tjerash.

Nëse shihni këto simptoma tek fëmijët tuaj atëherë ofroni ndihmë profesionale atij, shpenzoni kohë me ta dhe inkurajojeni me biseda të hapura dhe të sinqerta në të cilat në mënyrë aktive duhet ta dëgjoni atë. Gjithashtu inkurajojeni atë të bëjë ushtrime të rregullta, të ndjekë një dietë të shëndetshme dhe të bëjë orë kualitative gjumi. Por mos lini anash edhe shkuarjen në evente, klube, mbledhje me të afërm dhe aktivitetet në shkollë.