Stadiumit 'Fadil Vokrri' i shtohet edhe shtatorja e tij

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se do ta marrë përgjegjësinë për ndërtimin e shtatores së Fadil Vokrrit pranë stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Të gjitha procedurat për realizimin e projektit do t’i ketë në përgjegjësi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ministri Kujtim Gashi ka theksuar se do të ketë një konkurs publik në lidhje me projektin në fjalë.

“Duke ditur fushëveprimin e ministrisë të cilën unë e udhëheq, me kënaqësi dhe me nderin më të madh, kemi marrë përsipër që të realizojmë një projekt i cili do të vë në kujtesë themelet e një legjende siç ka qenë Fadil Vokrri. Shtatorja e cila do të ndërtohet përbri stadiumit do të jetë një kujtim i përhershëm për kontributin e tij. Ky projekt do të jetë një mirënjohje shtetërore për njeriun me të cilin identifikohet futbolli i Kosovës”, është shprehur ndër të tjera ministri Gashi.