Stadiumi 'Fadil Vokrri' duhet t'i nënshtrohet edhe një inspektimi final para pranimit teknik

UEFA i dha vërejtje Federatës së Futbollit të Kosovës para ndeshjes miqësore ndaj Danimarkës dhe para ndeshjes me Bullgarinë, e vlefshme për Euro 2020, për cilësinë e barit në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Stadiumit “Fadil Vokrri” ende nuk i është bërë pranimi teknik nga Komuna e Prishtinës, pasi ende nuk e ka pranuar dokumentacionin e vlerësimit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

KALLXO.com, ka raportuar për gjendjen e keqe të barit, por edhe për mos pranimin e teknik të stadiumit “Fadil Vokrri”.

MKRS në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se është në përfundim të dokumenteve pastaj do t’ia dërgojnë Komunës.

Iber Alaj, drejtor në Departamentin e Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka pranuar se ende nuk është bërë pranimi teknik i “Fadil Vokrrit”, por ka thënë se një gjë e tillë së shpejti pritet të ndodhë.

“Stadiumi është testuar që katër muaj thuajse dhe dokumentacioni është kompletuar nga MKRS dhe në bazë të kapacitetit e stadiumit që janë mbi 10 mijë shikues i nënshtrohet ligjit të planifikimit hapësinorë dhe certifikatën e përdorimit e lëshon Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhënës i lejes së ndërtimit. Ne jemi në faqen përfundimtare të kompletimit të dokumentacionit teknik dhe besoj që pas pranimit të stadiumit në UEFA si kategori e katërt, është fazë teknike dhe procedurë e cila do të kryhet besoj brenda dy apo tri jave”, ka thënë Iber Alaj për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor se a i kanë pranuar pjesën e dokumentacionit nga MKRS-ja për pranimin teknik të stadiumit “Fadil Vokrri”.

MMPH-ja ka thënë se MKRS-ja nuk e ka dorëzuar ende dokumentacionin për pranimin teknik.

Sipas tyre, MKRS-ja është në fazën e përgatitjes dhe kompletimit të dokumentacionit për certifikatë të përdorimit.

“MKRS e cila ka aplikuar për rindërtimin e stadiumit të qytetit të Prishtinës në MMPH, pas përfundimit të punimeve është e obliguar të paraqes kërkesë për certifikatë të përdorimit. Në këtë rast MKRS është në fazën e përgatitjes dhe kompletimit të dokumentacionit për certifikatë të përdorimit, por ende nuk e ka dorëzuar në MMPH”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor pasi ta pranojë dorëzimin e dokumentacioneve nga MKRS-ja, do ta bëjë inspektimin final dhe pastaj do ta lëshojë certifikatën e përdorimit.

“Pas dorëzimit nga MKRS të këtij dokumentacioni dhe inspektimit final nga MMPH do të lëshohet certifikata e përdorimit”,  thuhet në përgjigjen e MMPH-së për Kallxo.com.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dje ka reaguar pas raportimit të KALLXO.com, se ndeshjet në stadiumin “Fadil Vokrri” po zhvillohen ndonëse nuk është bërë ende pranimi teknik pas rinovimit të tij.

Skandaloze: Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ pa pranim teknik