Foto: Smajl Latifi/Facebook

Smajl Latifi thotë se rregullorja për palestrën e sporteve në Rahovec ka qenë vendim i Kuvendit Komunal

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në një përgjigje për KALLXO.com, ka folur për vendimin e fundit të KB Rahovecit për tërheqjen nga organizmi i dy ndeshjeve ndërkombëtare të Kosovës, ndaj Britanisë së Madhe dhe Luksemburgut.

Latifi ka thënë se rregullorja ka qenë vendim i Kuvend Komunal të Rahovecit dhe ai si kryetar i zbaton vendimet e Kuvendit,  dhe rregullorja është miratuar me shumicë votash, por sipas tij, nëse ka ndonjë iniciativë për ndryshim të kësaj rregulloreje, atëherë mund të ndodhë në të ardhmen.

“Rregulloren e ka miratu Kuvendi i komunës para disa ditëve, i ka kalu të gjitha fazat e dëgjimit publik e tjera, ajo rregullore nuk është ligji i Isak Njutonit, nuk domethënë që nuk ndërron dhe në të ardhmen Kuvendi mundet me e plotësu dhe ndryshu, por rregullorja ka për qëllim menaxhimin dhe mirëmbajtjen e palestrës sportive, sepse ai është aset strategjik i komunës tonë”, ka deklaruar Latifi.

Ai ka thënë se nëse federata shpreh interesim për të organizuar ndeshjet ndërkombëtare, atëherë komuna është e gatshme si nikoqir me të gjitha kapacitetet e mundshme, për ta pritë këtë organizim në mënyrën më të mirë të mundshme.

KB Rahoveci gjatë ditës së sotme ka njoftuar se është tërhequr nga organizimi i ndeshjeve ndërkombëtare të Përfaqësueses së Kosovës, për shkak të rregullores së komunës.

Shkaku i tatimeve të komunës, KB Rahoveci tërhiqet nga organizimi i ndeshjeve ndërkombëtare të Kosovës