Foto: RTV 21

Si reagon trupi juaj kur bini në dashuri

Fluturat në stomakun tuaj, një rrahje zemre e përshpejtuar – me siguri i mbani mend mirë ato simptoma që nga dashuria juaj e parë në shkollën e mesme. Si një i rritur, ato janë në fakt të dhëna delikate të trupit tuaj se po bini në dashuri (ose po përjetoni epsh, të paktën). Në fillim të një marrëdhënieje, një sërë reaksionesh kimike vërtet magjepsëse ndodhin në të gjithë sistemin tuaj nervor dhe hormonet. Nga takimi i parë deri tek krevati, ja çfarë po ndodh me trupin tuaj teksa bini në dashuri.

Të jesh i dashuruar është si të jesh në varësi ndaj drogës

Kesha nuk ishte shumë larg kur e përshkroi dashurinë si një lloj droge, sipas një studimi të vitit 2010 të kryer në Universitetin Rutgers. Studiuesit arritën në përfundimin se të biesh në dashuri është shumë e ngjashme me ndjesinë e ndjenjës së varësisë nga droga me çlirimin e euforisë, duke i përfshirë kimikatet e trurit si dopamina, oksitocina, adrenalina dhe vazopresina. Doktori shkencor Kat Van Kirk, një seksologe klinike dhe terapiste e licencuar për martesë dhe familje, thotë se këto kimikate lëshohen në pika të ndryshme tërheqëse dhe ju ndihmojnë të lidheni me partnerin tuaj. Ashtu sikurse droga, sa më shumë kohë kaloni me këtë person, aq më i varur bëheni, thotë ajo.

Është gjithashtu si të jesh i dehur

Konsumimi i disa gotave verë të tepërt ju bën më pak të frenuar, të frikësuar dhe të shqetësuar, dhe më agresiv dhe mburrës – dhe po ashtu oksitocina, “hormoni i dashurisë”, sipas një studimi të Universitetit të Birminghamit. Studiuesit i kanë bërë bashkë kërkimet ekzistuese mbi efektet e oksitocinës dhe alkoolit dhe megjithëse ato ndikojnë në pjesë të ndryshme të trurit, ato kanë rezultate të ngjashme.

Faqet tuaja skuqen, pëllëmbët djersiten dhe zemra rrahë nxitimthi

Përpara një takimi dashurie, mund të vëreni se rrahjet e zemrës suaj rriten dhe duart tuaja bëhen më të djersitura. Nuk është vetëm një rriqër nervor që shkakton rritjen e ankthit tuaj; në fakt është stimulimi i adrenalinës dhe norepinefrinës, thotë Dr. Kirk. “Kjo mund të çojë në të përjetuarit e një ndjesie fizike të dëshirës për ta përqendruar vëmendjen tuaj tek ai person specifik,” thotë ajo.

Bebëzat tuaja zgjerohen

Kur jeni të tërhequr nga dikush – i ulur përballë jush në bar, në rrugë, të shtrirë në shtrat së bashku – ka një stimulim në degën simpatike të sistemit tuaj nervor, që bën që sytë tuaj të zgjerohen, thotë Dr. Kirk. (Vazhdo, mund ta provosh me partnerin tënd – mund të jetë argëtuese!)

 Mund të ndiheni pak i sëmurë

Është normale të humbasësh oreksin ose të ndihesh i shqetësuar kur sapo ke filluar të takosh dikë. Kjo është mënyra e trupit tuaj për t’ju thënë se ju pëlqen vërtet ai person. “Sëmundja e dashurisë mund të jetë në fakt hormoni i stresit, kortizoli që kontrakton enët e gjakut në stomak, duke ju bërë të ndiheni të sëmurë,” thotë Dr. Kirk. Kjo zakonisht zbehet me kalimin e kohës kur fillon te ndjehesh më rehat me të dashurin ose të dashurën – por mund ta shpjegojë gjithashtu pjesërisht pse shumë nuse dhe dhëndër e kanë ndjesinë sikur nuk mund të hanë në dasmën e tyre.

Të qenit i dashuruar mund t’ju japë superfuqi

Keni dëgjuar ndonjëherë histori të nënave në panik që i largojnë makinat nga fëmijët e tyre të bllokuar? Ndonëse mund të duket çmenduri që kombinimi i dashurisë dhe frikës mund t’ju japë forcë të papritur mbinjerëzore në një rast urgjent, provat anekdotike sugjerojnë se me të vërtetë mund të ndodhë. (Është pothuajse e pamundur të hulumtohet shkencërisht ky fenomen, i quajtur forca histerike, sepse është e vështirë të përsëriten ato kushte për një studim.) Nuk janë vetëm prindërit që kanë përjetuar forcë histerike; njerëzit që janë të dashuruar gjithashtu kanë. “Oksitocina e çliruar në sistemin tuaj kur bini në dashuri mund ta rrisë tolerancën tuaj ndaj dhimbjes fizike,” thotë Dr. Kirk. 

Nuk do mund t’i ndani sytë nga i dashuri

Ka një arsye shkencore pse i keni fotot e dashurisë suaj të vendosura si sfond të telefonit tuaj ose të vendosura në tavolinën tuaj. Dëshira për ta parë, fjalë për fjalë, fytyrën e partnerit vjen nga çlirimi i trurit të dopaminës, thotë Dr. Kirk. “Ky është i njëjti efekt në tru sikurse marrja e kokainës, sepse stimulon përgjigjen e dëshirës/shpërblimit që lidhet me kënaqësinë intensive,” thotë ajo. Me fjalë të tjera, kur i shfletoni fotot nga pushimet tuaja së bashku, do të fitoni një rritje të energjisë, pasi dëshira juaj po përmbushet.

Zëri juaj mund të rritet në fakt

Pasi ta keni kaluar atë fazë të dërrmimit dhe jeni duke e thelluar lidhjen dhe përkushtimin tuaj me partnerin tuaj, mund të vini re ndryshime të tjera të çuditshme në trupin tuaj – duke përfshirë rritjen e zërit tuaj (po, vërtet). Sipas një studimi të botuar në vitin 2011 në Journal of Evolutionary Psychology, studiuesit zbuluan se kur gratë u flisnin burrave që tërhiqeshin më shumë fizikisht, zëri i tyre priret të bëhej më i lartë dhe më femëror. Pra, nëse jeni pak më i butë me partnerin sesa me kolegun tuaj që vazhdon të humbasë afatet tuaja, fajësojeni dashurinë.

Do të shqetësoheni kur të dashurin nuk e keni afër

Kur ndahemi nga partneri ynë për periudha të shkurtra ose të gjata kohore, ne përgjigjemi si një i varur nga droga që po largohet nga varësia e tyre, thotë Serena Goldstein, mjeke natyrale në Nju Jork. “Faktori i çlirimit të kortikotropinës rritet si pjesë e një reagimi ndaj stresit kur jemi larg partnerit tonë, duke kontribuar në ankth dhe depresion”, thotë ajo. Ato çifte që janë në marrëdhënie në distancë mësojnë ta përballojnë këtë ndjenjë, shpesh duke zhvilluar lidhje me zërin e partnerit të tyre si një mënyrë për të qëndruar të lidhur me të.

Rënia në dashuri mund t’i crregulojë hormonet tuaja

Gjatë fazës së muajit të mjaltit të një marrëdhënieje – një deri në dy vitet e para kur bëni ga-ga sa herë që shihni të dashurën tuaj – hormonet tuaja shkojnë keq. Sipas një studimi të vitit 2004 të publikuar në Psychoneuroendocrinology, kortizoli (hormoni i stresit) rritet si te burrat ashtu edhe te gratë. Dhe gjatë kësaj kohe, testosteroni, hormoni seksual mashkullor, ulet te meshkujt dhe rritet te femrat.

Dashuria mund të të thyejë zemrën

Mund të vdisni nga një zemër e thyer – është një fakt shkencor, sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës. Termi shkencor është “kardiomiopati e shkaktuar nga stresi” dhe mund ta godasë edhe personin më të shëndetshëm kur hormonet e stresit rriten gjatë një ngjarje emocionale stresuese, si vdekja e një partneri, divorci apo edhe një ndarje e keqe. Simptomat shpesh imitojnë ato të një ataku në zemër dhe përfshijnë gulçim, rrahje të parregullta të zemrës dhe dhimbje gjoksi. Ndërsa sindroma e zemrës së thyer mund të shkaktojë dëmtime të përhershme në zemër dhe, në raste të rralla, edhe vdekje, lajmi i mirë është se shumica e rasteve janë të trajtueshme dhe mund të zgjidhen plotësisht brenda disa javësh.

Dëshira juaj seksuale është më e madhe në fillim të lidhjes dashurore

Në fillim të një marrëdhënieje, çiftet nuk mund t’i mbajnë duart larg njëri-tjetrit, por mund të jetë e vështirë ta mbash gjallë këtë shkëndijë për një kohë të gjatë, veçanërisht për gratë, sipas një studimi të botuar në Journal of Sex & Marital Therapy. Studiuesit nga Universiteti i Geulph në Ontario, Kanada anketuan 170 burra dhe gra në marrëdhënie heteroseksuale monogame në lidhje me kënaqësinë e marrëdhënieve, kënaqësinë seksuale dhe dëshirën seksuale. Studiuesit zbuluan se megjithëse oreksi seksual i djemve ishte i qëndrueshëm me kalimin e kohës, gratë pësuan një rënie prej 0,02 në Indeksin e Funksionit Seksual të Femrës për çdo muaj që mbetën në një lidhje. Nëse filloni të ndjeni se dëshira juaj seksuale fillon të ftohet, provoni këto zakone të përditshme për ta rritur epshin dhe për ta rikthyer atë.

Mund të shtoni disa kilogramë

Do të dëgjoni shaka të tilla sikurse ato se njerëzit “e lënë veten krejt anash” kur janë në një marrëdhënie të lumtur dhe mund të ketë disa të vërteta në këtë stereotip. Në një përmbledhje të vitit 2012 në Journal of Obesity, studiuesit zbuluan se njerëzit priren të shtojnë peshë ndërsa vendosen në martesë. Një studim tjetër zbuloi se pasi u kanë nisur bashjëjetësë me një burrë, gratë priren të hanë më shumë ushqime me yndyrë të lartë dhe me sheqer, dhe kërkimet e mëtejshme zbuluan se gratë e reja të sapomartuara fituan 24 kilogramë në pesë vitet e para pas martesës. 

Nëse martoheni, mund të jetoni një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme

Lidhja e nyjës përmes martesës mund ta zgjasë jetën tuaj. Sipas studimit të Qendrës Mjekësore të Universitetit Duke, ata që ishin të martuar në të 40-at kishin më pak faktorë rreziku për vdekje të parakohshme sesa ata që ishin të divorcuar ose asnjëherë të martuar. Një tjetër studim nga Qendra Mjekësore NYU Langone në Nju Jork zbuloi se si burrat ashtu edhe gratë e martuar mund të kenë zemra më të forta se ata që nuk janë martuar asnjëherë. Sipas hulumtimit, burrat kanë zemra më të forta falë grave të tyre, me 5% më pak gjasa për ndonjë sëmundje vaskulare.

Kreativiteti juaj mund të ndizet

Megjithëse shumë shkrimtarë të famshëm e kanë vlerësuar depresionin si burimin e frymëzimit të tyre, një studim i vitit 2015 i botuar në Journal of Family Issues zbuloi se kur jeni në një lidhje dashurie, kreativiteti juaj mund të ndizet. Pse? Studiuesit arritën në përfundimin se shumë njerëz të dashuruar fillojnë të përqendrohen në një planfifikim jetese më të afatgjatë, në krahasim me atë afatshkurtër, duke u dhënë atyre një qasje më holistike ndaj projekteve dhe pasioneve të tyre, duke ndryshuar mënyrën se si ata përpunojnë informacionin. Me fjalë të tjera, kur jeni duke u takuar, jeni duke mbianalizuar, por kur jeni të dashuruar, i lejoni vetes të ëndërroni pak më shumë.

Do t’ju bëjë më aventurierë seksualisht

Sociologët e shtetit Penn, të cilët intervistuan gra në Pensilvani, Nju Xhersi dhe Nju Jork, zbuluan se kur gratë janë në një marrëdhënie të përkushtuar, ato janë më të prirura të provojnë diçka të re, duke përfshirë dhomën e gjumit. Kjo gjithashtu  sjell një përvojë në përgjithësi më të kënaqshme sidomos për gratë të cilat mund të ekperimentojnë më hapur në dhomën e gjumit. Lajm i mirë për djemtë që janë të gatshëm të angazhohen në këtë drejtim!

Mund t’i lehtësojë dhimbjet kronike

Sipas një studimi të Shkollës së Mjekësisë të Universitetit Stanford të vitit 2010, një marrëdhënie pasionante dhe gjithëpërfshirëse mund të funksionojë po aq mirë sa mjekimi për ta lehtësuar dhimbjen kronike. Ndjenjat intensive të dashurisë aktivizojnë të njëjtat zona të trurit sikurse qetësuesit, thonë studiuesit. Mjekët nuk janë plotësisht të gatshëm t’i përshkruajnë lidhjet e dashurisë si zëvendësim për ilaçet, por janë optimistë se të kuptuarit se si rrugët e shpërblimit nervor të nxitura nga dashuria do t’i ndihmojnë ata të zhvillojnë metoda të reja për të trajtuar dhimbjen./CNN

Ky artikull fillimisht u shfaq në Health.com.

Përgatiti: Nuhi Shala