Ilustrim

Shtatzënia e dytë, dallimet nga ajo e para – Këshilla nga Dr. Memli Morina

 

Urime! Jeni prapë shtatzënë, por a ka ndonjë dallim midis shtatzënisë së dytë dhe të parës?

Mund ta keni dëgjuar që asnjë shtatzëni nuk është e njëjtë me një tjetër, por varësisht nga përvoja që keni pasur në shtatzëninë paraprake ju mund të jeni skajshmërisht e lumtur ose përkundrazi shumë e brengosur.

Ka mundësi që kësaj here as që do të keni nevojë që ta bëni testin e shtatzënisë, sepse ju thjesht e vëreni se ka “diçka të re”!

Disa nga shenjat që i keni pasur në shtatzëninë e parë do t’i keni prapë si: urinimi i shpeshtë, neveria në ushqim, nauzeja, zënia e hundëve, ndryshimet emocionale, fryerja e barkut dhe kapsllëku.

Ndonëse, nuk ka fakte të bollshme mjekësore është vërejtur se disa komplikime të cilat janë shfaqur në shtatzëninë e parë mund të shfaqen sërish si: shtypja e lartë e gjakut, lindja e parakohshme, diabeti gestacional, preeklampsia dhe depresioni postpartal.

Këto janë disa nga ndryshimet që i vëreni në shtatzëninë e dytë, e i keni pasur më pak të shprehura në shtatzëninë e parë:

-Në shtatzëninë e dytë barku rritet dhe bëhet i dukshëm më herët se në shtatzëninë e parë. Kjo ndodh për shkak se muskujt e barkut janë më të flashkët pas lindjes së parë.

-Gjinjtë janë më të ndjeshëm dhe më të dhimbshëm në shtatzëninë e dytë, poashtu edhe areola e gjirit merr ngjyrë më të errët.

-Lëvizjet e bebes do t’i ndieni më herët se në shtatzëninë e parë (gati një muaj më herët).

-Edhe të ashtuquajturat dhimbjet e rrejshme (kontraksionet Brakston Hiks) do t’i ndieni më herët dhe do të jenë më të shpeshta.

-Lindja zgjat më shkurt, rreth 4-5 orë më pak se lindja e parë.

Memli Morina

Gjinekolog-Obstetër