Shpëtim Duro largohet nga ‘Drita’

Klubi i futbollit ‘Drita’ ka njoftuar se kryetrajneri i klubit Shpëtim Duro ka dhënë dorëheqje nga ky post, pas eliminimit nga gara e Kupës së Kosovës.

“Pas një takimi që e kishim menjëherë pas ndeshjes së djeshme, me një marrëveshje mes dy palësh, është vendosur që të ndërpritet bashkëpunimi. Pas eliminimit nga kupa e Kosovës dhe dalja nga objektivi i vetëm i klubit për këtë sezon z.Duro ka ofruar dorëheqjen, gjë që është pranuar nga klubi bardh e kaltër”, thuhet në njoftimin e klubit nga Gjilani.

Kampionja në fuqi u eliminua në çerekfinale për të dytën vit radhazi nga Vëllaznimi, pas humbjes minimale 1-0 të dielën në Gjakovë, në një ndeshje mjaft të fortë dhe herë pas here me tensione në publik.

Shpëtim Duro  ka qenë trajner i shumë skuadrave elitë në Shqipëri si Dinamo e Tiranës, Partizanit, Besës së Kavajës, Skendërbeut, ndërsa u emërua trajner i Dritës në shtator të vitit 2018, pas largimit të Bekim Isufit.