Shosholli, Sejdiu e Sermaxhaj unanimë: Kosova me mundësi të mirë që ta mposhtë Malin e Zi

Kosova nesër do ta luajë ndeshjen e dytë në kuadër të kualifikimeve për ‘Euro 2020’ ndaj kombëtares së Malit të Zi, prej orës 20:45, në Podgoricë.

Deri më tani djelmoshat e udhëhequr nga Bernard Challandes e kanë zhvilluar vetëm në ndeshje si vendas ndaj Bullgarisë, e cila përfundoi me rezultatin 1-1.

Kurse Mali i Zi i ka zhvilluar dy ndeshje, prej të cilave e ka një humbje nga Anglia dhe një barazim me Bullgarinë.

Kosova në këtë ndeshje do të paraqitet në fushë pa mesfushorët Valon Berisha, Hekuran Kryeziu dhe Herolind Shala, të cilët kanë qenë titullarë të padiskutueshëm në Ligën e Kombeve.

‘Dardanët’ në pesë ndeshjet e fundit i kanë shënuar dy fitore dhe tri barazime.

Bernard Challandes pritet të luajë me formacionin 4-2-3-1.

Edhe Mali i Zi do të jetë i hendikepuar pa dy lojtarët kryesorë, sulmuesin Stevan Jovetic dhe qendërmbrojtësin Stefan Savic, pasi janë të lënduar.

Mali i Zi pritet të luajë me formacionin 4-4-2, me të cilin luan rregullisht. Për Malin e Zi në sulm pritet të jetë Fatos Beqiraj.

KALLXO.com ka kontaktuar trajnerë dhe analistë të futbollit  për ta parë se cilat janë gjasat e Kosovës për ndeshjen e nesërme ndaj Malit të Zi.

Trajneri i shumë skuadrave kosovare Ajet Shosholli thotë se synimi i Kosovës nesër duhet të jetë fillimisht që mos ta humbasin ndeshjen. Sa i përket mungesave të lojtarëve tani, sipas Shoshollit nuk po vërehen ato, pasi po zëvendësohen nga lojtarë kualitativë.

Sipas tij, nesër një gjë pozitive për ‘Dardanët’ do të jetë edhe mos prezenca e tifozëve.

“Në këtë ndeshje synimi i ynë duhet të jetë që mos ta humbim ndeshjen. Mungesat për kombëtaren tonë deri më tani mendoj që nuk kanë ndikuar shumë, pasi kemi edhe zëvendësime adekuate duke u bazuar në fondin e futbollistëve që kemi. Mosprezenca e shikuesve në këtë ndeshje mendoj që do të ndikojë pozitivisht te futbollistët tanë, posaçërisht në aspektin psikologjik”, thotë Shosholli për KALLXO.com.

Gjasat e Kosovës për këtë ndeshje janë reale, i konvenon edhe barazimi, kështu mendon Shosholli.

Ai shton se Challandes nuk duhet ta ndryshojë nesër konceptin e lojës, duhet të luajë ashtu siç ka luajtur në ndeshjet e tjera.

“Gjasat tona mendoj që janë shumë reale për rezultat pozitiv, qoftë edhe barazimi. Deri sa në konceptin e lojës mendoj që nuk duhet ndryshuar shumë, pasi loja ofensive deri më tani na ka konvenuar duke pasur parasysh edhe sulmuesit tanë mjaft cilësorë që i kemi. Natyrisht duke pasur kujdes që kundërshtarëve t’u lëmë sa më pak hapësira të zbrazëta në zonën tonë të mbrojtjes, qofshin ato prej kundërsulmeve apo gjysmë kundërsulmeve të kundërshtarit”, thotë trajneri dhe analisti i futbollit Ajet Shosholli.

Ajet Shosholli

Kurse, trajneri dhe analisti i futbollit Gani Sejdiu thotë se Kosova i ka krijuar përshtypje se ata gjithmonë mund të arrijnë rezultat pozitiv në çdo takim pavarësisht rezultatit, duke e futur këtu edhe ndeshjen ndaj Malit të Zi.

“Unë personalisht kam krijuar një përshtypje për përfaqësuesen tonë se gjithmonë është në gjendje të dalë me rezultat pozitiv nga çdo takim, pavarësisht kundërshtarit. Prandaj edhe nga kjo përballje mund të nxjerrë rezultat pozitiv edhe pse do të jetë shumë e vështirë, sepse Mali i Zi gjithmonë ka pasur dhe ka lojtarë të nivelit të lartë në radhët e tij”, thotë Gani Sejdiu.

Për Sejdiun, Kosova ka përparësi për shkak të mungesës së Joveticit dhe Savicit dhe mospranisë së tifozëve në stadium. Ai shton se kombëtarja e Kosovës është në formë të mirë ekipore, por edhe individuale. Sejdiu thotë se mungesa eventuale e Amir Rrahmanit do t’i prishte ekuilibrat në fazën e mbrojtjes.

“Por, përparësinë tonë e shoh te mungesat shumë të rëndësishme të kundërshtarit dhe mosprezencën e publikut, plus duke ia shtuar edhe cilësinë që e kemi brenda ekipit e që tash është veç e vërtetuar edhe momenti i mirë që po kalon përfaqësuesja si në aspektin e përgjithshëm edhe në atë individual, ku lojtarët janë në një fazë të vetëbesimit maksimal dhe në çdo takim hyn me disiplinë taktike të lartë por edhe pa komplekse ndaj kundërshtarit e që është shumë komponentë e rëndësishme që një ekip të tregojë vlerat reale të saj.  Do të ndikojnë ndoshta edhe pak mungesat tona, por që është me rëndësi që prej të gjitha këtyre mos të mungojë Rrahmani, sepse aty do të prishej ekuilibri në repartin e mbrojtjes”, shton Sejdiu.

Për ish-trajnerin e disa skuadrave kosovare, Kosova në këtë ndeshje duhet të hyjë në lojë me kujdes të madh dhe me besim të plotë se kundërshtari nuk është mbi ta dhe me mentalitet fitues.

“Kosova duhet të hyjë shumë e kujdesshme dhe me besimin e plotë se kundërshtari nuk është mbi ta dhe me mentalitetin fitues duke llogarit dhe pasur kujdes nga detajet të cilat selektori i ka studiuar mirë. Unë besoj se duhet me qenë të kënaqur edhe me barazim, sepse jemi në cilësinë e mysafirit”, potencon Sejdiu.

Ndërkaq, Genc Sermaxhaj, analist i futbollit, thotë se Kosova nesër e ka mundësinë e mirë që të fitojë, për dy arsye të cilat janë në favor të kombëtares tonë: mungesa e dy lojtarëve kryesorë dhe mosprania e tifozërisë vendase.

“Mundësia është shumë e mirë që nesër Kosova të shënojë fitore duke shfrytëzuar disa mungesa të Malit të Zi, sidomos atë të mosprezencës së tfizorisë vendase. Përkundër disa mungesave që kemi në përbërjen startuese, besoj se kemi arritur që ta përvetësojmë mënyrën se si do t’i qasen ndeshjes, por aspak nuk dyshoj se do të mbrohemi nga kundërshtari, por jam i bindur se do të jemi ekip shumë sulmues. E them sulmues duke u bazuar në aftësitë e futbollistëve tanë dhe në ato ndeshje mbresëlënëse që kanë treguar prej një  viti e me shumë duke dëshmuar se vlejnë, dinë, munden por vetëm me një angazhim dhe disiplinë të madhe”, thotë Sermaxhaj.

Sipas Sermaxhajt, Mali i Zi është nën presion të madh pas humbjes nga Anglia dhe ndeshjen e ardhshme që do ta luajë pa tifozë.

“Mali i Zi është në një presion më të madh, pasi ka humbur me rezultat të thellë 5-1 ndaj Anglisë dhe luajnë pa tifozë. Po ashtu, duke i ditur aftësitë individuale të futbollistëve tanë besoj se do të jenë shumë të kujdesshëm dhe gjithsesi me një ngarkesë mjaft të madhe. Prandaj është momenti dhe mundësia e mirë që ne të shënojmë fitore, sepse po nuk besuam në fitore dhe nëse nuk e kërkojmë atë, nuk mund ta arrijmë rezultat të dëshiruar”, potencon analisti i futbollit Genc Sermaxhaj.