Foto: Atdhe Mulla-Kallxo.com

Shatri: Të shtunën do të paraqitet një Prishtinë ndryshe në parket

KB Prishtina në kategorinë e vajzave mbrëmë e kishte mundësinë që të shpallej kampion për sezonin 2018/2019-të në Superligë.

Por, kjo nuk ndodhi për shkak se vajzat e kryeqytetit u mposhtën nga ato të Bashkimit të Prizrenit me rezultat 79-71.

Me fitoren e Bashkimit, seria e ndeshjeve shkoi në 2-2, në fazën finale të Play- off-it.

Ndeshja e pestë do të luhet të shtunën në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, ndeshja e cila do ta përcaktojë kampionin.

KALLXO.com ka kontaktuar trajnerin e Prishtinës, Fidan Shatrin dhe basketbollisten, Irma Konjusha.

Trajneri Shatri thotë se e humbën një mundësi të mirë që të shpalleshin kampion pasi nuk luajtën mirë në fazën e mbrojtjes.

“Ishte një mundësi e mirë që ta përfundonim në shtëpinë tonë, por e lëshuam pasi na mungoi angazhimi dhe disiplina në fazën e mbrojtjes. Këto gabime nuk do të na ndodhin në ndeshjen e fundit, të shtunën, në Prizren”, ka thënë trajneri Fidan Shatri.

Sipas tij, të shtunën do të paraqitet një Prishtinë ndryshe në parket, me një angazhim më të madh dhe nuk do t’i përsërisin gabimet e së mërkurës.

“Edhe ndeshja e fundit të shtunën mbrëma, edhe kjo lojë dhe ky angazhim i ndeshjes së mbrëmshme nuk do të përsëritet në ndeshjen e së shtunës. Do të paraqitemi me fytyrë ndryshe në ndeshjen e fundit”, ka potencuar trajneri i skuadrës nga kryeqyteti.

Fidan Shatri, trajner i Prishtinës në basketboll në kategorinë e vajzave. Foto/Atdhe Mulla/Kallxo.com

Kurse, njëra prej lojtareve më të dalluara te skuadra e Prishtinës, Irma Konjusha, thotë se e neglizhuan Bashkimin në ndeshjen e mbrëmshme. Ajo shpreson që të shtunën të bëjnë paraqitje më të mirë e të shpallen në fund kampione.

“Fillimi ka qenë shumë i mirë prej neve. E kemi  marrë lojën sigurt që kemi me fitu edhe na ka dalë në fund një bumerang. Shpresoj që të shtunën në Prizren kemi me dhanë maksimumin tanë dhe në fund kemi me u shpallë kampion”, ka thënë Irma Konjusha për KALLXO.com.

Irma Konjushas në posedim me topin. Foto/ Atdhe Mulla/Kallxo.com