Sermaxhaj e Llumnica thonë se Mirel Josa është fajtor për dështimin e Prishtinës

Rrugën për në kualifikimet në Europa League skuadra e Prishtinës e siguroi me fat. Kjo pasi që u eliminuan në çerekfinale të Kupës së Kosovës nga Trepça ’89.

Por, skuadra e drejtuar nga Mirel Josa arriti ta sigurojë fazën kualifikuese në Europa League falë Feronikelit.

Klubi nga Drenasi, i cili e fitoi titullin e kampionit në Superligë, triumfoi edhe në finale të Kupës së Kosovës ndaj Trepçës ’89.

Feronikeli tashmë falë triumfit në Superligë e kishte siguruar fazën parakualifikuese në Ligën e Kampionëve dhe Prishtina nga vendi i dytë e pa veten në Europa League.

Shorti i fazës parakualifikuese u cilësua i lehtë dhe i kalueshëm për Prishtinën, pasi do të takohej me skuadrën nga Gjibraltari St.Joseph’s.

Prishtina në mënyrë që të përgatitet sa më mirë për këtë ndeshje transferoi disa prej lojtarëve më të mirë në pozitat e tyre. Njërin prej mesfushorëve më të mirë në vend Endrit Krasniqin nga Drita, sulmuesit Alban Shillova, Ahmet Januzi dhe Kreshnik Uka dhe mbrojtësin e krahut Tun Bardhokun.

Mirëpo, në fund doli se Prishtina dy prej këtyre dy transferimeve nuk i kishte bërë në mënyrë të rregullt.

Kështu Tun Bardhoku dhe Ahmet Jonuzi nuk u lanë lojtarë të lirë deri në përfundimin e kontratës së tyre me 30 qershor, që i pamundësoi edhe të jenë pjesë ndaj St. Joseph’s.

Përveç mungesës së Januzit e Bardhokut, Prishtina u përball edhe me lëndime të tjera.

Më 27 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri”, Prishtina në ndeshjen e parë ndërkombëtare në shtëpinë e vet ndaj St. Joseph’s arriti vetëm një barazim 1-1.

Ndërsa, në ndeshjen kthyese në Gjibraltar pësuan humbje me rezultat 2-0.

Në këtë ndeshje Prishtina mbeti me dy lojtarë më pak prej minutës së 48-të, Armend Dallku e Leotrim Bekteshi u ndëshkuan me karton të kuq.

KALLXO.com ka kontaktuar analistë të futbollit për ta parë se çka nuk i shkoi Prishtinës në këto dy ndeshje, ku gabuan dhe a mund të luanin më mirë.

Analisti dhe  ish-futbollisti i Prishtinës, Genc Sermaxhaj, thotë se kishte parashikuar short të lehtë për Prishtinën, por jo ndeshje të dobët e zhgënjyese nga ana e tyre.

“Short të lehtë kisha parashikuar edhe unë por nuk kam menduar asnjëherë paraqitje të tillë të Prishtinës sidomos në ndeshjen e parë duke mos e komentuar aspak ndeshjen e dytë dhe tejet zhgënjyese”, thotë fillimisht Sermaxhaj.

Sermaxhaj thotë se te Prishtina problemet janë vazhdimësi e viteve paraprake për faktorë të ndryshëm, ku si pasojë e kësaj nuk po mundet as të shpallet kampione e vendit.

Sa u përket transferimeve, ish-futbollisti i Prishtinës thotë se bardhekaltrit kanë marrë në radhët e veta lojtarë cilësorë.

“Te Prishtina me gjasë problemet janë shumë vite më herët dhe për shumë arsye e faktorë të ndryshëm. Ajo nuk po shpallet as kampione e vendit, por me shumë fat po kualifikohet për ndeshjet e Europa League. Nuk mund të themi se Prishtina nuk ka bërë transfere të duhura, madje mori lojtarin më të mirë të mesfushës në Kosovë, Endrit Krasniqin, po ashtu edhe sulmuesin Ahmet Januzaj, pavarësisht se ky i fundit nuk luajti në këto dy ndeshje” shton ai.

Sermaxhaj thotë se trajneri Mirel Josa nuk ka treguar asgjë në këto dy ndeshje.

“Kam dyshime se tek Prishtina duhet të ketë ndryshime por tani diku tjetër. Josa nuk bëri asgjë. Madje nuk arriti të tregoj asnjë lojë bindëse dhe nuk iu afrua aspak Prishtinës së dikurshme. Prandaj te Prishtina ka probleme të llojeve të ndryshme që pakkush mund t’i drejtojë”, potencon ai.

Genc Sermaxhaj thotë se kapiteni Armend Dallku e Leotrim Bekteshi, të cilët u ndëshkuan me karton të kuq, duhet të japin përgjegjësi.

“Sa i përket ndeshjeve nuk jam i kënaqur me lojërat e treguara, po ashtu lojtarët që morën të kuq duhet të japin përgjegjësinë për ndëshkimet, ngase në ndeshje të tilla duhet kujdes dhe përqendrim maksimal, nuk është ndeshje kampionale që t’i kompensosh pikët në ndeshjet tjera”, thotë Sermaxhaj me një ton kritikues për mbrojtësit Dallku e Bekteshi.

Për Sermxhajn, Prishtina duhet ta respektojë skuadrën kundërshtare në fillim dhe duhet të tregojë së pari lojëra të mira në Superligë, pastaj të mendojë për gara europiane.

“Ndoshta ende nuk jemi të pjekur për ndeshje të tilla, por kundërshtari nuk ishte ndonjë ekip i pamposhtur. Megjithatë përballja ndaj çdo kundërshtari fillimisht duhet të luhet pastaj të mendohet kundërshtari i radhës e jo siç bënë ata duke menduar për ndeshjet tjera. Prishtina fillimisht duhet të tregohet e fortë brenda kampionatit tonë e pastaj të tregohet edhe në ndeshjet ndërkombëtare, ngase edhe në Superligë Prishtina nuk ishte bindëse”, përfundoi ai për KALLXO.com.

Kurse analisti i futbollit, Ardian Llumnica, thotë se parimisht Prishtina duhet ta kalonte këtë kundërshtar. Por sipas tij ata i ka penalizuar mungesa e madhe e sulmuesve në këtë takim.

“Parimisht jemi dakord që Prishtina është dashtë ta kalojë këtë kundërshtar duke u bazuar në shumë specifika që ka. Prishtina ka qenë e penalizuar me disa futbollistë në këtë takim, veçmas me sulmuesit dhe ky ka qenë një fakt real se pse janë eliminuar nga ky kundërshtar”, ka thënë Llumnica për KALLXO.com.

Llumnica thotë se barra mbi eliminimin e Prishtinës bie mbi trajnerin Mirel Josa, pasi atij kryesia ia kanë plotësuar të gjitha kushtet.

“Kryesinë e Prishtinës nuk mund ta fajësojmë me vet faktin që ia kanë ofruar kushtet maksimale Mirel Joses dhe si e tillë barra bie mbi trajnerin. Ta kujtojmë që Prishtina dy herë të tjera ka dalë nga vendi i dytë nga mëshira e skuadrave tjera dhe kjo nuk është e natyrshme për një klub të madh. Revolta e tifozëve ndaj kryesisë është për shkarkimin e Mirel Josës dhe assesi për gjëra të tjera”, potencon Llumnica.

Ardian Llumnica

Kujtojmë se pas përfundimit të ndeshjes së djeshme kryetari i “Plisave”, Albert Kastrati, i akuzoi drejtuesit e klubit se e kanë shitur lojën dhe se tifozët e kësaj skuadre nuk e meritojnë këtë që po ia bëjnë.

“Nuk e meritojnë Plisat nuk e meritojnë qytetaret e Prishtines me ja hup krenarin klubit tone, un menoj qe klubi jon e ka shit lojen si mrena si jasht e dyshimet e mija forcohen edhe ma shumë kur e kemi trener josen.Boll moo , Marreeeeeeeeee”, kishte shkruar Albert Kastrati.

Prishtina mbetet pa dy lojtarë, Bekteshi e Dallku ndëshkohen me të kuq (Foto)

www.kallxo.com