Salah vlerësohet si një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë

Sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah tha se burrat në “kulturën time dhe në Lindjen e Mesme” duhet të trajtojnë gratë me më shumë respekt pasi ai u vlerësua si një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë nga revista ‘Time’, raporton BBC.

Futbollisti i kombëtares së Egjiptit, 26 vjeç, praktikues i fesë islame, ishte gjithashtu një nga gjashtë yjet që kanë mbuluar kopertinën e revistës amerikane dhe përdori intervistën e tij për të folur për barazinë e grave.

“Ne kemi nevojë të ndryshojmë mënyrën se si i trajtojmë gratë në kulturën tonë”, tha ai për Time.

“Kjo duhet të bëhet, nuk ka opsion tjetër”.

Ai shtoi: “Unë e mbështes gruan më shumë se që e kam bërë më parë, sepse ndihem sikur ajo meriton më shumë se ajo që ata i japin tani për momentin”.

Salah u përfshi në listë së bashku me këngëtarët Ariana Grande dhe Lady Gaga, presidentin e ShBA-së, Donald Trump, kryeministrin e Pakistanit dhe ish-kriketistin, Imran Khan, themeluesin e Facebook-ut, Mark Zuckerberg dhe ish-zonjën e parë amerikane, Michelle Obama.

Komediani anglez, John Oliver, një tifoz i Liverpoolit, shkroi një artikull për Salahun në revistë.

Foto: BBC

“Mo Salah është njeri më i mirë sesa futbollist”, shkruante Oliver. “Dhe ai është një nga futbollistët më të mirë në botë.

“Mo është një figurë portreti për egjiptianët dhe myslimanët në mbarë botën, por gjithsesi ai vjen gjithmonë si një njeri i përulur, i matur dhe gazmor, që nuk i merr ndonjë nga këto shumë seriozisht”.

Salah u bashkua me Liverpoolin në qershor të vitit 2017 pasi u largua nga Roma dhe shënoi 44 gola në sezonin e tij të debutimit në klub.

Këtë sezon ai ka shënuar 19 gola në Ligën Premier për Liverpoolin, të cilët janë në garë për titullin e parë që nga viti 1990.

“Njerëzit gjithmonë kanë pritshmëri të mëdha nga ju”, shtoi ai. “Ju shikoni fëmijët, ata mbajnë të veshur fanellën tuaj dhe ata thonë se dëshirojnë të bëhen si ju një ditë.

“Kështu që ata ju vënë nën presion pak, por kjo është diçka që ju bën krenarë për atë që keni arritur deri tani”

Yjet e tjerë që kanë zënë vend në kopertinë janë muzikantja Taylor Swift, aktorët Dwayne Johnson dhe Sandra Oh, Gayle King dhe politikanja amerikane Nancy Pelosi.

Salah ishte një nga tre yjet ndërkombëtar të sportit të përmendur në listë. Bashkë me të edhe kampioni i dyfishtë olimpik i Afrikës së Jugut, Caster Semenya dhe numri një i botës në tenis, japonezja Naomi Osaka.

Yjet amerikanë të sportit që janë pjesë e kësaj liste janë, ylli i NBA, LeBron James, kampioni i ri i Masters, Tiger Woods dhe futbollisti Alex Morgan.

Përgatiti: Dorentina Kastrati