Sa litra birrë importohen në Kosovë?

Sipas statistikave të Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2016 dhe 2017 janë importuar 26.2 milionë litra birrë.

Brenda vitit 2016, në Kosovë kanë hyrë 13.2 milionë litra birrë nga malti kurse në vitin 2017 janë importuar 2 mijë litra birrë më pak, gjithsej 13 milionë litra.

Më së shumti litra birrë gjatë vitit 2016 janë importuar nga Maqedonia kurse më së paku nga Franca. 4,7 milionë litra birrë kanë hyrë përmes Doganës nga Maqedonia, 2,6 milionë litra birrë nga Serbia, 1,9 milionë litra nga Mali i Zi dhe 1,7 milionë litra nga Sllovenia. Nga Shqipëria në Kosovë gjatë vitit 2016 janë importuar vetëm 526 mijë litra birrë në Kosovë kurse nga Franca në Kosovë kanë hyrë 147 litra.

Edhe gjatë vitit 2017 në Kosovë më së shumti birrë është importuar nga Maqedonia ndërsa më së paku nga Ukraina. Maqedonia prinë në listë me 4,5 milionë litra birrë, megjithëse 2 mijë litra më pak se sa në vitin 2016, Serbia është e dyta me sasinë më të madhe të birrës së importuar në Kosovë, me gjithsej 2,6 milionë litra, njëjtë si në vitin 2016, pas saj vjen Mali i Zi me 1,9 milionë litra birrë të importuara në Kosovë dhe pastaj vjen Sllovenia me 1,8 milionë litra birrë të importuara.

Birra është pija alkoolike më e vjetër dhe më e njohur në botë. Shiten më shumë se 133 miliardë litra birrë në vit.

Në Kosovë birra më e vjetër është ‘Birra e Pejës’. Ndërtimi i fabrikës së saj ka filluar në vitin 1968. Që nga viti 1971, birra është prodhuar në Pejë. Në vitin 2010, kjo kompani u privatizua.

Prodhohet nga tharmëtimi i lëndëve me bazë amidonin, zakonisht përdoret elbi, megjithëse përdoren edhe rrënjët e kasavës (Manihot esculenta) në Afrikë, patatja në Brazil, dhe Agava (lloj kaktusi) në Meksikë.

Sot, provat më të lashta për ekzistencën e birrës mendohet të jenë rreth më se 6 mijë vjet dhe përshkruhen nga sumerët, të cilët kishin një qytetërim mjaft të lashtë, janë populli i parë në botë, që mund të cilësohet “i qytetëruar”, me gjuhën, fenë, kulturën dhe shkrimin e tyre në formë kunji.

Sumerët e zbuluan rastësisht procesin e fermentimit, ndoshta nga një copë bukë që u lag dhe u harrua. Pas pak kohe ajo fillojë të fermentohet me ndihmën e disa baktereve të ajrit, duke u kthyer në një masë alkoolike.

Birra prodhohet duke marrë fillimisht farën e elbit, e cila njomet me ujë dhe pastaj në kushte të përshtatshme temperature arrihet që të bëhet mbirja e saj. Pas mbirjes dhe zhvillimit në fazën e pjekjes ajo thahet nga ku merret embrioni i farës dhe i nënshtrohet një sërë proceseve të tjera, produkt i se cilës del një lëndë që quhet malti.

Pikërisht malti që përftohet trajtohet me ujë dhe njëkohësisht zihet. Pas zierjes hidhet në lëndën e përfituar lopon dhe majën e birrës e cila e bën të mundur fermentimin e kësaj lende.

Lënda që përfitohet pas këtij fermentimi është pikërisht birra. Ajo zihet në një temperaturë nga 60-70 °C me qellim që lëngu të mos prishet dhe njëkohësisht të çaktivizohen të gjitha enzimat të cilat janë të dëmshme për trupin e njeriut.