Rrëfim i gruas mbi përjetimin e depresionit pas lindjes

A.A. është bërë nënë para disa viteve, ajo për nëntë muaj kishte pritur me padurim ardhjen në jetë të fëmijës së saj të parë.

Kur ajo kishte kuptuar se lindja ishte afër, entuziazmi kishte filluar  të rritej. Por atëherë kur priste të ndjejë mrekullinë më të madhe ajo thotë të jetë përballur me një realitet aspak të këndshëm.

“Do ua kisha spjeguar me një ngjarje që ndoshta nuk është krahasim adekuat. Në kopsht mësueset na kanë folur për pranverën si një prej stinëve më të bukura dhe gjithë kohën na kanë thanë që kur vjen pranvera qelin lulet e zogjtë këndojnë, është gjelbërim dhe është koha e bukur. E di që prindërit i kam pyetur vazhdimisht se kur vjen pranvera dhe një ditë më kanë thënë sot ka ardhë pranvera. Kur kam dal jashtë nuk ka pasur as flutura, as lule as nuk ka qenë kohë e mirë. Përkundrazi ishte kohë shumë e keqe njëjtë e kisha përshkruar momentin e parë kur e kam ndje të njëjtin zhgënjim për një situatë që e kam prit se ka me qenë e mbushur me dashni dhe entuziazëm”, thotë ajo.

Problemi i perceptimit të të qenurit nënë kishte nisur në spital, por gjendja ishte rënduar me t`u kthyer në shtëpi.

“Dita e parë me njerëz që kanë ardhë me na prit hala në konfuzitetin e dhimbjeve fizike. Nuk kam qenë shumë e përgatitur për atë që e kam ndjerë kur u ktheva në shtëpi. Në fakt bashkëshorti ka qenë i pari që e ka vërejt se nuk jam mirë me disponim. Nuk kam qenë në gjendje me identifiku gjendjen në të cilën isha, nuk më ka përgatit askush se mund të përballem me një fazë të tillë pas lindjes“, ka treguar A.A.

Ajo thotë se është kujdesur ndaj bebes, por çdo gjë që ka bërë ka qenë punë mekanike.

“E di që kujdesi ndaj bebes nuk ka mungu por gjithçka ka qenë mekanike nuk ka pasur ndjenja në atë punë. Nuk më kujtohet saktë sa ka zgjat kjo periudhe por 2 -3 muaj ka qenë periudha kur ka qenë e theksuar ndjenja e mungesës së lidhje me fëmijës, ndjenja e pafuqisë, e iracionalitetit të ftohtësisë emotive e të tjera”.

A. A. thotë se gjendja e saj është rënduar edhe më shumë nga vizitat e shumta të rrethit dhe për më tepër edhe nga pyetjet e pavend që bënin ata.

“Çka ka qenë më e keqja në rastin tim është se njerëzit bëjnë pyetje joadekuate. Pyetja më e papërshtatshme ka qenë a po e do, ose me siguri që po e do shumë. Vizitat menjëherë pas lindjes e vështirësojnë situatën”, ka rrëfyer ajo

Sipas saj kjo gjendje e privoi atë edhe nga mundësia e të ushqyerit beben me qumësht gjiri.

“Tash mund të them, atëherë nuk kam qenë e aftë me kuptu që depresioni post-partal dhe gjidhënia janë një lloj rrethi vicioz. Në rastin tim unë kam pasur mungesë apetitit dhe mungesë interesimi për me u ushqy. Ka ndodhë që ka shku deri në 15 orë pa u ushqyer dhe si pasojë gjini mu ka ndal dhe për pasojë vajzën tre muajshe e kam ushqy me formulë. Dhe pastaj ajo ndjenja e fajit veç e ka përkeqësu gjendjen në të cilën isha”, tha ajo.

Gjinekologu obstetër, Memli Morina tregon se periudha e shtatëzanisë në mbi 90 përqind të rasteve është një periudhë e shëndetshme pa problem të madh, por ndodhë që pas lindjes nëna të mos ndjehet mirë.

“Depresioni pas lindjes është një gjendje më e avancuar, mirëpo fillimisht shfaqet e ashtuquajtura melankolia e paslindjes që ndodhë jashtëzakonisht shpesh. Në 80 përqind të rasteve normalisht në manifestim ndryshe nga njëra tjetra një përqindje prej 20 përqind do të përjetojnë depresion post-partal. Dhe një përqindje tjetër do të përparojnë në psikozë post-partale. Depresioni është faza më e avancuar kur një nënë e re qanë, tërhiqet në vetvete, ka çrregullime të gjumit që manifestohen në dy ekstreme me gjumë të pandërprerë, apo pagjumësi. Çrregullime të oreksit me mendime të zymta dhe nëse nuk adresohen në mënyrë korrekte mund të ketë pasoja edhe për nënën edhe për beben”, tha ai.

Sipas doktorit këto probleme duhet të diskutohen që nga shtatzënia dhe roli i gjinekologut duhet të jetë shumë i rëndësishëm.

“Një nënë e re e cila i sheh këto shenja e kanë të vështirë të vendosin se kujt duhet t`i drejtohen. Nëse i drejtohen gjinekologut mendojnë që nuk ka lidhje me të, që është gabim në anën tjetër pediatri që kujdeset për beben dhe nuk është për këto probleme sikur në vizitat pas lindjes këto probleme të përmenden kishin me qenë një fije që shërben si pretekst për ta kontaktuar mjekun gjinekolog për të adresuar këto probleme”, sqaron doktori.

Doktori thotë se nëse situata zgjatet më shumë se dy javë duhet të lajmërohet mjeku.

“Nëse një nënë e re ankohet, gjithmonë është një grua tjetër më në moshë që thotë se në kohën time kur kam lind pak kush më ka pyet se si e ndien veten dhe nuk e kam pasur komoditetin të rri në shtrat. Dhe rrjedhimisht fillon ta kthej pasqyrën nga vetja dhe e sheh veten si problem. Ajo do të mendoj se nuk është në gjendje të kujdeset për beben dhe kjo akoma më shumë e thellon problemin”, thotë Morina.

Doktori rekomandon që çdo grua që përjeton situata të tilla të jetë e hapur me familjen dhe ta kontaktoj mjekun e saj.

“E para është që gruaja të mos izolohet ta kuptoj se disa shqetësime janë normale. Deri në një masë të jetë e hapur me bashkëshortin dhe familjen dhe që ta ketë një adresë një numër telefoni ku mund të kërkojë ndihmë nuk është vetëm gjakderdhja dhe shenjat e depresionit mirëpo edhe këto probleme tjera duhet të jenë pretekst bukur i madh që të kontaktohet gjinekologu ose mamia”, ka kwshillusar Memli Morina, gjinekolog obstetër.