Ronaldo: Kjo është arsyeja pse Juventus ka nënshkruar me mua

Superylli portugez Cristiano Ronaldo, ka folur pas ndeshjes ndaj Atletico Madrid në Champions League, ku shënoi një hat-trick mahnitës, natën e mbrëmshme.

Pasi e kualifikoi ekipin e tij për në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm 3-2, Ronaldo për Sky Sport Italia ka thënë se ishte një natë shumë e veçantë për të.

“Duhej të ishte një natë e veçantë dhe ashtu doli të jetë. Nëse vazhdojmë kështu, edhe pse nuk kemi fituar ende asgjë, kemi arsye për të qenë krenarë pasi jemi në rrugën e duhur. Dhe kjo është arsyeja pse Juventus ka nënshkruar me mua dhe unë po provoj të bëj punën time më së miri”, ka deklaruar portugezi.

Sipas tij, Atletico ishte një ekip shumë i fortë për ta mposhtur.

“Atletico ishte një ekip shumë i vështirë për ta mundur, por ne treguam se jemi një ekip i madh. Ne duhet të vazhdojmë kështu, hap pas hapi. Ishte një natë magjike”, ka thënë Ronaldo.

Juventus duhet të presë për shortin e të premtes, për të kuptuar se kush do të jetë pengesa e radhës, ndërsa ka gjasa që të përballen me ish-klubin e Ronaldos, Manchester United, me të cilët janë përballur edhe në fazën e grupeve këtë sezon.

Ronaldo shënoi hat-trickun e tetë në Champions League në karrierën e tij, duke u barazuar me Lionel Messin e Barcelonës dhe siç duket “lufta” në mes dy rivalëve  të vjetër, është rihapur përsëri.