Foto: Facebook

Ronaldo: E meritoj edhe këtë vit ‘Topin e Artë’

Cristiano Ronaldo ka thënë që e meriton “Topin e Artë” edhe për këtë vit.

Ai në një intervistë për “France Football” ka folur për largimin e tij nga Reali dhe për çështjen e “Topit të Artë”.

Portugezi ka thënë se ai e di se është njëri prej lojtarëve më të mirë në histori të futbollit.

“Unë tashmë e di, e ndjej se jam njëri nga lojtarët më të mirë në histori”, ka thënë Ronaldo fillimisht.

Tutje ai ka thënë se nuk e ka obsesion fitimin e “Topit të Artë”, por natyrisht që dëshiron ta fitojë atë.

“Kam thënë disa herë se nuk e kam obsesion fitimin e “Topit të Artë”, por natyrisht, unë dua të fitoj atë për të gjashtën herë”, tha ai.

Ronaldo ka thënë se e meriton “Topin e Artë” dhe se bashkimi me skuadrën e Juventusit ishte një veprim i mirë.

“Mendoj se e meritoj “Topin e Artë”. Bashkimi me Juven ishte një veprim i mirë dhe  i suksesshëm. Kam bërë shumë gjëra në Madrid, dhe kam momente të pabesueshme aty të cilat do t’i kujtoj gjithmonë, me shokët dhe tifozët.  Sidoqoftë mendoj që pas nëntë viteve atje, kishte ardhur koha për mua të ndryshoja klubin”, ka thënë lojtari i Juventusit.

Ronaldo ka treguar se marrëdhëniet me Perezin nuk ishin më të mirat.

“E ndjeva ftohjen nga klubi, sidomos nga presidenti pasi nuk më konsideronin më në të njëjtën mënyrë sikur në fillim. U largova shkaku i Perezit, jo shkaku i parave”, ka shpjeguar fituesi i pesëfishtë i “Topit të Artë”.

Ronaldo u transferua te Juventusi në afatin kalimtar të verës për 105 milionë euro.