foto Facebook

Robin Krasniqi do të rikthehet në ring për të mbrojtur titullin EBU

Boksieri më i suksesshëm shqiptar i të gjitha kohërave, Robin Haxhi Krasniqi, me 17 nëntor 2018 do të rikthehet në ring për të mbrojtur titullin EBU të Evropës, të fituar me 2 Qershor 2018.

Përballë Krasniqit me 17 nëntor, në Anhalt-Arena të qytetit gjerman DESSAU, do të jetë boksieri i talentuar gjerman Stefan Haertel i cili qysh si amator ka arritur suksese të mëdha dhe ka qenë pjesëmarrës në lojërat olimpike.

Stefan Haertel, është 30-vjeçar dhe e mban rekordin 17-1-0, ai është konkurrent i Robin Krasniqit në të njëjtin klub promovues, në SES BOXING, aktualisht klubi më i fuqishëm gjerman.

Ndryshe, për Krasniqin ky do të jetë dueli i 54 profesionist. Deri tani Krasniqi i ka siguruar 48 fitore dhe ka fituar shumë trofe ndërkombëtare, ka luftuar 2 herë për titullin e botës, është shpallur 2 herë kampion evropian dhe ne bazë të këtyre statistikave është boksieri më i suksesshëm shqiptar i të gjitha kohërave.

Dueli Krasniqi vs. Haertel do të transmetohet në dhjetëra vende të Evropës dhe do të jetë vendim prurës për karrierën e mëtutjeshme të  dy sportistëve.