Rita Ora: Vendoseni Kosovën në hartë

Këngëtarja e kosovare me famë botërore, Rita Ora, është në mesin e artisteve që ka kërkuar nga kompania ‘Apple’ ta vendos Kosovën në hartën e saj si shtet dhe jo si pjesë të Serbisë.

Përmes një postimi në instagram, Ora ka thënë që Kosova ka shumë njerëz të talentuar dhe me famë botërore.

“Do të më pëlqente ta shihja Apple duke shpërndarë pakëz vetëdijesim duke e vënë Kosovën në hartë! Shqipëria dhe Kosova janë vende aq të bukura dhe me shumë talente, ndërsa unë jam aq krenare për grat dhe vajzat tona të jashtëzakonshme, të forta, të talentuara që e përfaqësojnë trashëgiminë tonë. Shpërndani dashuri, paqe dhe unitet sot me Bebe Rexhën, Dua Lipën, Era Istrefin, Dafina Zeqirin, Ava Max dhe shumë të tjera”, ka shkruar ajo.

Kompania “Apple” ka fshirë kufirin ndarës të Republikës së Kosovës me Serbinë në hartën e saj, duke i përfshirë në një shtet të vetëm. Kjo ka ngjallur shumë debat për shqiptarët e Kosovës, të cilët e konsiderojnë të papranueshme këtë.

Ndaj kësaj kanë reaguar edhe këngëtaret me famë botërore si Dua Lipa dhe Rita Ora, të cilat kanë nisur një peticion online.

“Kosova është shumë më tepër se numra, ekziston dhe duhet të respektohet”, shkruan Dua në postimin që ka shpërndarë.

Edhe artistë të tjerë i janë bashkuar Duas e Ritës duke kërkuar vendosjen e Kosovës në hartë. Mes atyre që kanë reaguar janë edhe Gjiko, Capital T, Melinda Ademi dhe Morena Taraku. Reperi i njohur Gjiko ka publikuar fotografinë e hartës së Apple në profilin e tij zyrtar me mbishkrimin “Put Kosovo on the map”.

“Kosova ekziston dhe duhet të respektohet”,  ka shkruar në mbishkrimin e fotos këngëtarja Melinda Ademi. Gjithashtu edhe reperi Capital T, ka reaguar në faqen e tij zyrtare në Instagram, ku ka bërë të njëjtën thirrje si kolegët e tij: “Put Kosovo on the map”. (Vendoseni Kosovën në hartë.)

I njëjti problem është edhe për Palestinën, e cila nuk ka ekzistuar kurrë në hartën e “Apple”.