Rabiot: Juventus është një nivel më i lartë se PSG

Lojtari më i ri i Juventusit Adrien Rabiot, sot është prezantuar edhe zyrtarisht në konferencë për media.

Mesfushori francez i cili u transferua te kampioni i Italisë, si transfer i lirë nga PSG, ka treguar se e ka arritur shpejt marrëveshjen që të transferohet në qytetin e Torinos.

Bile ai ka thënë se Juventusi është në një nivel më të lartë se Paris Saint-Germain, dhe kjo është arsyeja që është transferuar te “Zonja e Vjetër”.

“Nuk kishim asnjë problem, kemi arritur marrëveshje shumë shpejtë. Sigurisht se ky klub ka histori të madhe me futbollistë francezë dhe shpresoj të jap kontributin tim gjithashtu. Juventus është një nivel më i lartë se PSG, për këtë arsye kam ardhur këtu. Kam luajtur me shumë kampionë dhe Cristiano Ronaldo është sigurishtë një nga më të mëdhenjtë”, ka thënë Rabiot.

Ai po ashtu ka thënë se ka ardhur në Juventus që t’i ndihmoj ekipit në arritjen e objektivave.

Francezi ka treguar se ka biseduar me Buffonin për Juventusin, pasi të dy në sezonin e fundit kanë qenë bashkëlojtarë te PSG-ja.

“Liga e Kampionëve nuk vjen sot e nesër. Unë jam këtu t’i ndihmoj Juventusit ta fitojë dhe t’i realizojë të gjitha objektivat. Disa gjëra që më ka thënë Buffon më kanë bërë të mendoj seriozisht për të ardhur në Juventus. Kam biseduar shumë me Buffonin për Juventusin. Mendimet e tij kanë rëndësi të madhe për mua, ai luajti rol në ardhjen time këtu”, ka treguar Rabiot.