Merita Emini Sadiku- Endokrinologe - FOTO KALLXO - Dhjetor 2018

Problemet me gjëndrat tiroide, këshilla për trajtimin e tyre

Gjëndra tiroide është gjëndra më e madhe e sistemit endokrin edhe pse ajo peshon vetëm disa gram te njeriu i rritur. Rëndësia e saj lidhet ngushtë me zhvillimin mendor dhe fizik prej periudhës embrionale dhe në çdo hap të jetës.

Problemet me tiroide mund të jenë të ndryshme disa nga më të shpeshtat janë hipotiroidizmi, apo aktiviteti i ulët i tiroides ose e kundërta e saj hipertiroidizmi.

Doktoresha Merita Emini- Sadiku thotë për KALLXO.com se kjo gjëndër prodhon hormone shumë të rëndësishme që arrijnë të veprojnë në të gjitha qelizat e trupit.

“Tiroidja njeh disa sëmundje në klasifikime është funksioni i ulët apo të lartë, sëmundjet inflamatore si dhe sëmundjet nodulare në të cilat kemi të bëjmë me tumore beninje apo malinje. Pra kancerët e tiroides. Sëmundjet më të shpeshta janë ato me funksion të ulët të tiroides. Ne i njohim si hipotireoza më të shpeshta janë sëmundjet me origjinë auto- imune. Një ndër to është tiroiditi kronik apo hashimoto. Kjo sëmundje shoqërohet me praninë e tipit të larte të antitrupave të cilat me kalimin e kohës e cila mund të jetë kohë shumë e gjatë paraqet shenjat e para që janë lodhja, shtimi në peshë, tharja e lëkurës, tharja e flokëve, ulja e koncentrimit, nevojat më të mëdha për të fjetur, ulja e funksionit të zorrëve që shoqërohet me konstipacion”, thotë Emini Sadiku.

Sipas doktoreshës problemet me tiroiden ndikojnë në çdo funksion tjetër përfshirë edhe në hormonet tjera, si ato të ciklit menstrual te femrat. Prandaj femrat me probleme të tilla e kanë të vështirë ngelen shtatzënë derisa nuk e trajtojnë këtë problem.

“Një prej faktorëve kryesorë janë ato trashëgues, nëse pacientja ka dikë nga familja që ka tiroide gjasat për të pasur një nga këto sëmundje janë më të mëdha. Prania e mjaftueshme e jodit në kripë në ujë dhe në ushqimet tjera, furnizimi apo pasurimi i kripës me jod, kjo ndodhë jo vetëm nga kripa që përdorim në kuzhinë por ka pacient që nuk e rekomandojnë të hanë ushqime të kripura dhe kështu krijojnë në mungesë të marrjes së këtij minerali shumë të rëndësishëm për gjëndrën tiroide. Faktikisht në krijimin e substancave që i krijojnë hormonet e tiroides, pastaj faktorët tjerë janë medikamentet, rrezatimet, ndërhyrjet kirurgjikale të cilat me një formë e ulin funksionin për shkak të pranisë së ndonjë tumori, duhet të jemi shumë të kujdesshëm nëse marrim mjaftueshëm ose jo”, thotë ajo.

Doktoresha thotë se alkooli dhe duhani nuk njihen si faktorë që drejtpërdrejtë ndikojnë në paraqitjen e problemeve me gjëndrën tiroide, por janë faktorë që mund të ndikojnë si nxitës të sëmundjeve bashkë me faktorë të tjerë.

“Nuk njihen si faktorë që ndikojnë direkt në tirode duhani dhe alkooli, mirëpo mund të jenë faktorë nxitës të sëmundjeve të tiroidës bashkëetiologjike me faktorë tjerë shoqërues. Po ashtu kemi edhe faktorët infektive virusale apo bakteriale të cilat munden me dëmtu funksionin e tiroides të cilat po nuk u shëruan mund të shndërrohen në ulje të funksioni të tiroides. Këto që ju tregova kanë të bëjnë me uljen e funksionit të tiroides, menaxhimi është shumë i mirë me terapi hormonale që e zëvendëson hormonin që është në mungesë ku është edhe minerali selenium që ndikon mjaftueshëm në uljen e titrit të antitrupave”, shpjegon ajo.

Doktoresha thotë se rëndësi ka diagnostikimi i pacientit me kohë në mënyrë që të merren masat e duhura dhe kjo bëhet edhe përmes analizave laboratorike edhe përmes diagnostikimit me ultrazë.

“Përveç analizave laboratorike janë shumë të rëndësishme edhe ekzaminimet imazherike ku ultrazëri luan rol shumë të rëndësishëm për me pa strukturën e gjëndrës tiroide. Për me pa nëse kemi të bëjmë me sëmundje qoftë edhe me pak elemente gjatë kontaktit me pacientë përveç ultrazërit gjithashtu ekzaminim është edhe funksion biopsia e nodujve të tiroides ku bëhet në të njëjtën kohë edhe me institutin e patologjisë ku materialet e marrura i përgatisim në pllaka të xhamit dhe ashtu qohet atje dhe atje përmes mikroskopit analizohen dhe diagnostikohen sëmundjet e ndryshme për me pa a kemi të bëjmë me ndryshime beninje apo malinje”, shpjegon Merita Emini Sadiku- Endokrinologe.