Prishtina - Llapi, fitorja 'vlen' 6 pikë, barazimi 'nderon' Feronikelin

Nesër do të përballen Prishtina dhe Llapi, në kuadër të xhiros së 31-të në Superligën e Kosovës, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë prej orës 16:00.

Kjo ndeshje është esenciale për të dy ekipet, pasi të dyja janë garë për titullin e kampionit dhe me pikë të njëjta nga 69, Llapi në vendin e dytë, dhe Prishtina në të tretin, me dy pikë më pak se Feronikeli.

Për ekipin që del fitues nga kjo ndeshje, fitorja e ka vlerën e 6 piklëve, meqë kundërshtari humbës mbetet pa tri pikë në një fazë kruciale tv kampionatit.

Barazimi apo humbja për secilin ekip nuk do të jetë e mirëpritur, pasi do t’ia zbehnin vetës gjasat për titullin e kampionit. Deri në fund të sezonit janë edhe dy xhiro, Prishtina edhe Llapi në një nga dy xhirot e ardhshme do të përballen me Feronikelin.

KALLXO.com ka kontaktuar trajner dhe analistë të futbollit për ta parë se cila skuadër nesër ka gjasa që të dalë triumfuese.

Genc Sermaxhaj, analist i futbollit dhe ish-futbollist i disa skuadrave kosovare, thotë se kjo përballje do të jetë e vështirë për të dy ekipet. Ai e potencon se humbja apo barazimi do t’ia zbehte gjasat për titull të dy skuadrave, duke i thënë përparësi Feronikelit.

“Përballja do të jetë e vështirë si finale për të dy ekipet. Humbja apo barazimi ia zbeh gjasat për titull dhe i jep përparësi Feronikelit, përparësi psikike dhe përparësi në pikë”, shprehet Sermaxhaj për KALLXO.com.

Sipas tij, në ndeshje të tilla vendosin shumë gjëra, por për të Prishtina e ka përparësinë e terrenit.

“Në ndeshje të tilla vendosin shumë gjëra, por Prishtina ka më shumë përvojë dhe luan në terën të vet dhe ka një përparësi, por gjithsesi do të jetë ndeshje e fortë dhe deri në fund nuk do të dihet rezultati. Llapi në stinorin pranveror ka zhvillu ndeshje shumë të mira dhe me rezultate bindëse, ndërsa Prishtina nuk ka bërë lojëra shumë të mira dhe ka fituar me rezultate të ngushta”, thotë Sermaxhaj.

Ndërkaq, analisti i futbollit Ardian Llumnica, thotë se ndeshja e nesërme do të jetë njëra prej më interesanteve në këtë sezon. Për të në këso lloj ndeshjesh nuk ka favorit, pasi gjasat të dy skuadrat i kanë të barabarta.

“Nesër është njëra nga ndeshjet më interesante të kampionatit. Barazimi thuajse nuk i konvenon asnjërës skuadër. Statistikat thonë që Prishtina, bindshëm ka triumfuar në dekadën e fundit, por gjërat kanë ndryshuar, sepse Llapi tashmë ka një skuadër solide për kreun e tabelës. Në këto ndeshje pavarësisht a luan vendas apo mysafir gjasat janë 50 me 50 %”, thotë Llumnica për Kallxo.com.

Për Llumnicën nesër në lojë do të vijnë në shprehje kualitetet individualëve të lojtarëve nga të dy ekipet.

“Mendoj që do të vijnë në shprehje disa kualitete individuale të futbollistëve në të dyja taborët dhe disponimi  e forma e tyre”, shprehet ai.

Ardian Llumnica

Kurse, analisti i futbollit dhe trajneri i disa skuadrave kosovare Ajet Shosholli, thotë se Prishtina mund ta shfrytëzojë terenin vendas për fitore, ani pse nuk është në formë stabile.

“Nesër është derbi i madh për të dy ekipet që të mbesin në garë për titullin e më të mirit. Të dy ekipet i kanë synimet e veta për rezultat pozitiv. Prishtina si ekip nikoqire do të mundet ta shfrytëzojë ternin vendas për fitore, por e cila megjithatë e ka një formë jo stabile dhe që e din që vetëm tre pikëshi e mban në garë për titull. Besoj që do ta kenë durimin dhe qetësinë e duhur që ta arrijnë këtë synim”, ka thënë Shosholli për Kallxo.com.

Sa i përket Llapit, Shosholli mendon se trajneri Tahir Batatina me lojtarë si Behar Maliqi, Mentor Zhdrella, Ahmed Jonuzi e Festim Alidema mund të arrijnë fitore nesër.

“Llapi i cili nuk ka humbur pikë që shtatë ndeshje dhe përbërjen e vet ka tre lojtarë shumë cilësorë me eksperiencë të madhe si Behar Maliqi, Mentor Zhdrella dhe Ahmed Jonuzi, do të mundohen që së bashku me Festim Alidemën e ri të vijnë në shprehje për rezultat të plotë”, shprehet Shosholli.

Përballja e fundit ndërmjet këtyre dy ekipeve kishte përfunduar me fitoren e Llapit me golin e Ahmed Jonuzit në minutën e 47’, ndeshja ishte zhvilluar në Podujevë në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Ajet Shosholli