Foto: REL/Reuters

Princi Harry martohet me aktoren Meghan Markle

Princi Harry i Britanisë është martuar me aktoren amerikane Meghan Markle, në një ceremoni në Kështjellën Windsor.

Rreth 600 të ftuar morën pjesë në shërbimin kishtar, ndërkaq mijëra të tjerë u mblodhën jashtë kishës St.George.

Markle u përcoll deri në altar nga princi Charles, babai i Harryt, pasi babai i saj ka njoftuar se nuk do të mund të marrë pjesë në dasmë për shkak të shëndetit të lig.

Mbretëresha Elizabeth II i ka dhënë princit Harry titullin Duka i Sussex, ndërkaq Markle do të ketë titullin Dukesha e Sussex.

Harry, 33-vjeç, është i pesti në linjën për fronin mbretëror. Ai dhe Markel 36-vjeçe, janë takuar përmes një shoku të përbashkët më 2016 dhe e kanë mbajtur të fshehtë lidhjen e tyre për muaj.

Ata njoftuan se janë fejuar në nëntor të vitit të kaluar.

Harry është djali i dytë i Princit Charles dhe Princeshës së ndjerë Diana.