Prej cilit vend janë importuar më së shumti pije alkoolike në Kosovë?

Në vitin 2016 dhe 2017 në Kosovë më së shumti pije alkoolike janë importuar nga Italia.

Përderisa gjatë vitit 2016 nga Italia janë importuar gjithsej 326.6 mijë litra pije alkoolike me një vlerë prej 736 mijë euro në vitin 2017 prej Italisë janë importuar 355 mijë litra pije alkoolike apo rreth 28 mijë litra më shumë se sa në vitin 2016. Vlera e tyre ishte 792 mijë euro.

Pas Italisë, në listën e vendeve prej të cilave importohen më së shumti pije alkoolike në Kosovë gjatë vitit 2016 është Mbretëria e Bashkuar.

Nga Mbretëria e Bashkuar në Kosovë gjatë vitit 2016 janë importuar 187.6 mijë litra pije alkoolike me një vlerë prej 772.6 mijë euro. E treta në këtë listë radhitet Republika Çeke, nga e cila në Kosovë gjatë vitit 2016 janë importuar 74.6 mijë litra pije alkoolike të cilat kanë kushtuar 207 mijë euro.

Pas Republikës Çeke vjen Gjermania, nga janë importuar 61 mijë litra pije alkoolike me një vlerë prej 298 mijë euro.

Listën prej pesë vendeve prej të cilave janë importuar më së shumti pije alkoolike në Kosovë e mbyllë Kroacia. Gjatë vitit 2016 nga Kroacia në Kosovë përmes Doganës janë importuar 53 mijë litra pije alkoolike të cilat kanë kushtuar 113 mijë euro.

Edhe gjatë vitit 2017, primatin në listën me vendet prej të cilave janë importuar më së shumti pije alkoolike në Kosovë e mbante Italia.

Përsëri e dyta në këtë listë radhitet Mbretëria e Bashkuar, nga e cila në Kosovë janë importuar 257.6 mijë litra pije alkoolike. Kjo shifër është rritur me 70 mijë litra për dallim nga viti 2016. Pijet alkoolike të importuara në Kosovë nga Mbretëria e Bashkuar gjatë vitit 2017 kanë kushtuar 941 mijë euro.

Në vitin 2016, Gjermania ishte e katërta në listë ndërsa në vitin 2017 ajo radhitet në top treshen e vendeve prej të cilave importohen më së shumti pije alkoolike.

Nga Gjermania janë importuar 85 mijë litra pije alkoolike me një vlerë prej 377 mijë euro.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) në vitin 2016 nuk ishin as në top pesëshe por gjatë vitit 2017 ajo radhitet e katërta.

Nga ShBA-ja në Kosovë janë importuar 56.8 mijë litra pije alkoolike të cilat kanë pasur një vlerë prej 484 mijë euro. Kurse pesëshen e vendeve nga të cilat janë importuar më së shumti pije alkoolike në Kosovë e mbyllë Republika Çeke, e cila ka rënë me dy pozicione për dallim nga viti 2016.

Nga Republika Çeke përmes Doganës në Kosovë janë importuar 52 mijë litra pije alkoolike të cilat kanë kushtuar 137 mijë euro apo 22 mijë litra pije alkoolike më pak se në vitin 2016.

Në vitin 2016 dhe 2017 në Kosovë janë importuar gjithsej 1.9 milionë litra pije alkoolike.

Përderisa në vitin 2016 sipas statistikave të Doganës së Kosovës kanë hyrë në Kosovë 888 mijë litra pije alkoolike gjatë vitit 2017 kjo shifër është rritur në 1 milion litra.

Sasia e pijeve alkoolike të importuara në Kosovë gjatë dy viteve të kaluara ka kushtuar 7.5 milionë euro, me 3.4 milionë euro në vitin 2016 dhe 4.1 milionë euro në vitin 2017.

Pijet alkoolike janë pije që përmbajnë etanol. Pijet alkoolike janë përdorur gjerësisht që në antikitetin e lashtë dhe nga shumë civilizime anë e mbanë globit, si një përbërës i një diete të rregullt, për arsye higjienike apo mjekësore, për efektet e tyre pushuese dhe euforike dhe arsye të tjera. Disa prej tyre, me kalimin e kohës kanë fituar kuptim fetar dhe në festa të krishtere dhe çifute.

Organizata Botërore e Shëndetësisë radhit alkoolin në vend të parë për dëmet sociale, në vend të dytë për nga vdekshmëria fiziko-organike dhe në vend të tretë për nga çrregullimet e shëndetit mendor.