Marko Pjaca - Foto: facebook

Pjaca: Mund të konkurroj me Neymarin dhe Hazardin

Sulmuesi anësor i Fiorentinës, Marko Pjaca, ka folur për karrierën e tij, gjendjen momentale, lëndimet dhe gjëra të tjera.

Kroati ka thanë se pas dëmtimit që e mbajti shumë gjatë jashtë fushës sa ishte në Juventus, nuk u përmirësua më, por është optimist se do ta zbulojë vetëbesimin e dikurshëm.

“Pas dëmtimit të rëndë nuk u përmirësova më, por nëse do të vazhdoj të luaj me vazhdimësi, atëherë do ta zbuloj vetëbesimin e dikurshëm. Çdokush ka rolin e tij dhe e dimë mirë se çfarë duhet të bëjmë në fushë. Pioli na kërkon ne sulmuesve që të mos kthehemi shumë mbrapa. Ai kërkon driblimin, por vetëm në gjysmëfushën e kundërshtarit”, ka thënë Pjaca për La Gazzetta dello Sport.

Pjaca ka thënë se është i kënaqur me gjendjen e tij në Fiorentinë dhe se në të ardhmen mund të konkurroj me lojtar si Neymar dhe Eden Hazard.

“Gjendem shumë mirë në Firence, skuadra është e re dhe tifozët janë të pasionuar. Nuk pendohem që u largova nga Juventus. Kur shkova në Torino ishte vetëm Kuadrado anësor ofensiv, por më pas u dëmtova. Me vetëbesim, mund të filloj të bëj prapë ato lëvizjet që bëja përpara dëmtimit. Vetëm se duhet të luaj sa më shumë. Dua të bëhem më i miri në botë në rolin tim. Për momentin, më të mirët janë Neymar dhe Hazard, por mund të konkurroj me ta, për sa kohë të shmang dëmtimet.”

Marco në afatin kalimtar të verës u transferua nga Juventusi në huazim me të drejtë blerje me 20 milionë euro.