Kështu do të dukej Stadiumi Kombëtar sipas Presidentit Hashim Thaçi – Foto: Facebook

Për Stadiumin Nacional të Futbollit 13 milionë euro të planifikuara deri më 2021

Në Projekt- Buxhetin për vitin 2019-të për investime kapitale Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), ka parparë që në aspektin e sportit të investojë si në stadiume, palestra sportive, fusha të tenisit, pishina gjysmë olimpike, ndërtimin e Qendrës Nacionale për Xhudo në Pejë etj.

Nga shpalosja e këtij Projekt – Buxheti, e në veçanti të paraparë për investime kapitale nga ana e MKRS-së, janë paraparë që të përfshihen 29 stadiume, nga këto 29 stadiume, duhet të veçohet, se ka stadiume ekzistuese të cilat duhet të rinovohen, ka stadiume të cilat duhet të rindërtohen dhe stadiume të cilat duhet të ndërtohen nga zeroja.

Njëri prej stadiumeve i cili do të ketë koston më të lartë pritet të jetë ai nacional, i cili do të ndërtohet në Drenas dhe do të shërbej për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës, për të gjitha moshat dhe gjinitë, atyre meshkuj dhe vajza-gra.

Stadiumi Nacional i Futbollit, sipas MKRS-së, vazhdon ndërtimi i tij nga viti 2019-të e do të përfundojë në vitin 2021. Kostoja e tij është plotë 13 milionë euro.

Ndërkohë Ndërtimi i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, e cila është premtuar prej vitit 2016-të, pritet të nisë në vitin 2019-të e të përfundojë në vitin 2021, vlera e të cilit shkon në 650 mijë euro.

Për një pishinë olimpike në Prizren e cila ka nisur në vitin 2018-të, pritet të përfundojë në vitin 2021-të, kostoja e saj pritet të jetë 1 milionë e 200 mijë euro. Ndërsa për tri pishinat e tjera gjysmë olimpike të cilat priten të nisin në vitin 2019-të dhe të përfundojnë brenda këtij viti, kostoja e tyre do të jetë 50 mijë euro e ndarë nga MKRS-ja për investime kapitale.

Kur jemi tek palestrat sportive, për ndërtimin e tyre prej vitit 2018-të deri në vitin 2021, janë paraparë plotë 17 palestra sportive në qytete të ndryshme në tërë Kosovën. Palestra sportive me e kushtueshme pritet të jetë ajo në Zhegër të Gjilanit e cila pritet të kushtojë deri në përfundimin e saj në vitin 2021 plotë 550 mijë euro.

Fusha sportive dhe terrene sportive sipas MKRS-së deri në vitin 2021 priten të ndërtohen 12 të tilla, kostoja për për secilën nuk i kalon shumën prej 100 mijë eurove

Edhe fushave të tenisit pritet t’i jepet prioritet ku parashihen të ndërtohen disa fusha të tenisit në qytete të ndryshme e veçohet ndërtimi i Kompleksit të Tenisit në Komunën e Gjakovës që kap vlerën e 100 mijë eurove dhe kompleksi i fushave të tenisit në Ferizaj, dhe në qytet tjera.

Në total për vitin 2019-të parashihen  investime kapitale në shumën prej 8 milionë e 438 mijë e 327 euro.

Të planifikuara për vitin 2020 parashihen 11 milionë e 923 mijë e 316 euro.

Për vitin 2021 janë të parapara 22 milionë e 170 mijë euro.

Në total gjithsej janë planifikuar 42 milionë euro e 530 mijë e 643 euro, pra investime kapitale prej vitit 2018-të deri në vitin 2019-të për sport në përgjithësi.

Më poshtë mund t’i shihni të gjitha projektet apo investimet e parapara në detaje: