Dafina Ademi Islami- Onkologe

Parandalimi dhe trajtimi i kancerit të gjirit

Kanceri i gjirit është njëri prej kancereve më të shpeshta që prek gratë. Tetori është muaji për vetëdijesimin për kancerin e gjirit dhe në Kosovë gratë kanë filluar të vetëdijesohen në lidhje me këtë sëmundje, thotë për KALLXO.com onkologia Dafina Ademi Islami.

“Sa i përket shifrave në Kosovë për periudhën Janar-Shtator gjithsej kemi pas 247 raste krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ku kanë qenë 241 raste. Presim deri në fund të vitit të kemi një numër të përafërt me vitin e kaluar, edhe vitin e kaluar si total me të gjithë kancerët i kemi pas diku 1540 raste. Kemi ardh te një plato ku nuk ka një rritje më të madhe krahasuese me vitin paraprak”, tha doktoresha Ademi-Islami.

Sipas saj rëndësi të madhe ka paraqitja e hershme e pacientes për diagnostikim.

“Krahasuar me vitet e mëhershme në përgjithësi shumica e rasteve kanë qenë stad shumë i avancuar edhe vitet e fundit kemi avancim për rastet që e kanë zhvilluar sëmundjen. Por vërehet një tendencë e shfaqjes së sëmundjes në stadet e hershme edhe kjo neve si profesionistë na ka gëzu fakti që kur rritet numri i rasteve të hershme nënkupton që ka funksionu vetëdijesimi i grave në vendin tonë”, tha ajo.

Sipas doktoreshës nëse bëjnë krahasim me vetëm gjashtë vite më herët kur kjo temë ka qenë tabu, tani është një përparim enorm në kërkimin e ndihmës profesionale për këto gra.

“Zakonisht moshat më të prekura janë moshat mbi 45 vjeçare me kancer të gjirit, por nuk ka përjashtim edhe pse thuhet se kanceri prek moshat e shtyera do të thotë kemi edhe mosha më të hershme, por moshat mbi 45 vjeçare janë më me rrezik për kancer të gjirit“.

Doktoresha tregon se cilët janë faktorët që munden me ndiku në paraqitjen e kancerit dhe çka mund të bëjë çdo grua për ta ulur rrezikun e prekjes nga kjo sëmundje.

“Sa i përket kancerit të gjirit faktorët ndahen në ato që mundem me i ndiku dhe ato që nuk mundemi me i ndiku. Në atë që nuk mundemi me ndiku është gjinia, ne kemi lind femra dhe e bartim rrezikun që një në tetë gra të sëmurët apo preket nga ky lloj kanceri. Një faktor tjetër që nuk mundemi me e ndryshu është historia personale, historia familjare që prapë nuk mundemi me ndryshu, një tjetër është ana gjenetike që nuk mundemi me ndryshu në anën gjenetike janë mutacionet që i trashëgojmë nga prindërit. Pjesa më e madhe e mutacioneve gjenetike janë ato që ndodhin pas lindjes një faktorë tjetër është edhe menopauza e hershme nëse cikli menstrual ka ardhur para moshës 12 vjeçare është më në rrezik për të zhvillu kancer të gjirit më vonë, apo edhe menopauza e vonshme pas moshës 55 vjeçare bartë rrezikun për kancer të gjirit. Faktorët që mund të ndryshojmë janë stili i jetës aktiviteti fizik, mbipesha është e lidhur me rrezikun për kancer të gjirit, terapia hormonale pirja e duhanit e alkooli”, tha ajo.