Panucci: Kemi kualitete për ta fituar ndeshjen ndaj Turqisë

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Christian Panucci, ka dalë në konferencë për media në prag të ndeshjes së parë të fazës kualifikuese për Euro 2020, ndaj Turqisë e cila luhet nesër në mbrëmjë në Shkodër.

Panucci tha se lojtarët kanë kanë punuar mirë dhe janë gati për ndeshjen e nesërme.

“Kanë punuar mirë këto ditë. Djemtë janë gati për të luajtur këtë ndeshje. Ka ardhur Sadiku, edhe pse nuk është mirë, kemi lojtarë që kanë bërë gola. Mjafton edhe një gol për të fituar ndeshjen. Kemi Sadikun, Balaj ka gjetur golin, kemi Grezdën dhe Abazajn gjithashtu” tha Panucci fillimisht.

Trajneri italian beson se skuadra e tij ka kualitet për ta fituar ndeshjen edhe pse do të jetë e vështirë për të.

“Rivalët? Turqia ka një skuadër të fortë, por nëse lojtarët kundërshtarë janë në presion për 90 minuta, do të marrim një rezultat pozitiv. E dimë që është e vështirë, por shpresojmë. Nuk do të jetë aspak si miqësorja e një viti më parë ku fituam. Kemi kualitete për të fituar ndeshjen, do të përpiqemi që të marrim më të mirën nga futbollistët tanë. Kam shumë besim se mund të marrim fitoren”, ka thënë trajneri i Shqipërisë.