Foto: Gjilani/Facebook

Pajaziti godet Gjilanin: Nuk fitohet titull kur largon 15 lojtarë

Skuadra e Gjilanit sot ka njoftuar se e ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Sadat Pajaziti.

Shkarkimi i Pajazitit vjen si pasojë e humbjes në derbin lokal ndaj Dritës me rezultat 3-1.

KALLXO.com e ka kontaktuar trajnerin e shkarkuar.

Sadat Pajaziti tha se nuk do ta pranonte pozitën e trajnerit nëse klubi do t’i kërkonte më shumë se vendin e katërt në tabelë. Ai la të kuptohet që klubi gjilanas që në fillim të sezonit nuk ka hyrë në garë për titullin e kampionit.

“Kampion nuk mund të shpallesh rastësisht. Ekipet punojnë me vite për të sjellë tituj. Unë nuk do ta pranoja kurrë pozitën e trajnerit nëse ata do më kërkonin në fillim të vitit më shumë se pozitën e katërt në tabelë”, tha për KALLXO.com trajneri i shkarkuar.

Ai ka treguar se sot e kanë njoftuar për ndërprerjen e bashkëpunimit ndërmjet tij dhe skuadrës së Gjilanit.

Pajaziti beson se Gjilanit do t’i vijë koha që ta fitojë ndonjë titull.

“Sot jam njoftuar se kanë vendosur ta ndërpresin bashkëpunimin dhe mua nuk më mbetet tjetër pos ta pranoj.  I uroj suksese Gjilanit dhe shpresoj që sa ma shpejt të kurorëzohen me ndonjë titull, edhe besoj se do vijë koha, sepse ka një kryetar i cili i rri mbrapa ekipit gjithmonë”, ka thënë ai.

Sipas tij edhe pse Gjilani është një skuadër me traditë, tani ka në përbërje lojtarë të rinj.

“Gjilani duhet të kalojë nëpër faza të ndryshme, të formohet si ekip, të ketë 11-shën startuese, të cilët luajnë një kohë pak më të gjatë. Gjilani është ekip i vjetër dhe me nam në futbollin e Kosovës, por këtë vit është ekip i ri, me shumë ardhje dhe shumë largime. Megjithatë unë mendoj se ata po i lë në pozitë të mirë në tabelë (pozita e katërt) dhe besoj që ky është sukses për këtë vit”, potencon Sadat Pajaziti.

Ish-drejtuesi i skuadrës së Gjilanit ka një kritikë për drejtuesit e klubit, pasi thotë se titujt nuk mund të fitohen nëse largohen shumë futbollistë e në vend të tyre vijnë të rinj.

Ai insiston se një ekip mund të kërkojë tituj kur lojtarët njihen ndërmjet vete për më shumë se 2 vite.

“Në fund, por jo nga rëndësia dua t’i përshëndes tifozët të cilët i kuptoj se ata nuk janë të kënaqur me rezultatet. Normalisht ata gjithmonë kërkojnë tituj, por titujt duan kohë për t’u formuar ekipi dhe për këtë gjë të paktën 2 apo 3 vite që lojtarët të fillojnë të ndjejnë njëri-tjetrin në fushë dhe të bëhen një. Në këtë vit në Gjilan kanë ardhur mbi 12 lojtarë dhe janë larguar mbi 15, kjo na ka penguar”, shton ai.

 

Gjilani e shkarkon trajnerin pas humbjes ndaj Dritës (Foto)

www.kallxo.com